Nga Jordan DACI*
Tre nga vlerat kryesore ligjore të një sistemi ligjor janë rendi, drejtësia dhe liria. Të tre këto vlera bashkarisht përbëjnë edhe thelbin e dinjitetit njerëzor nga i cili burojnë të gjitha të drejtat e njeriut. Ndërkohë, “bashkëjetesa” e detyrueshme dhe quasi simbiotike e këtyre tre vlerave të ndërlidhur, të ndërvarura, por edhe kundërshtuese të njëra-tjetrës nga një këndveshtrim tjetër; janë shprehja më e mirë e ekuilibrit që kërkon ekzistenca e një shteti të së drejtës. Në fakt, e gjithë jeta njerëzore në vetëvete është ‘midis të tjerash’ edhe një shprehje e ekuilibrave midis interesave të ndryshme të individëve që përbëjnë një shoqëri. Nga ana tjetër, që një shoqëri ose një shtet të funksionojë në mënyrë demokratike, ai duhet të ruajë ekuilibrat midis interesave të ndryshme të anëtarëve të shoqërisë dhe njësia ‘matëse’ ose ‘vlerësuese’ që bën një të tillë është parimi i drejtëpeshimit ose “proporcionalitetit” siç njihet ndryshe”. Ky i fundit, drejtëpeshon interesat e ndryshme mbi bazën e interesit publik duke i dhënë përparësi interesit që përputhet më së miri me interesin publik. E përmbledhur në një formë të thjeshtë, i gjithë ky ekuacion nënkupton atë çfarë njerëzit njohin si drejtësi dhe pa të cilën asnjë prej nesh nuk do të ndjehej i sigurt dhe as i lirë. Drejtësia ose mekanizmi i zgjidhjes së konflikteve dhe kësisoj edhe i sigurimit të bashkëjetesës shoqërore në sistemet demokratike të zhvilluara perëndimore bazohet në ndarjen dhe në kontrollin e ndërvarësinë e ndërsjellët midis pushetit legjislativ, pushtetit ekzekutiv dhe atij pushtetit gjyqësor. Ky i fundit që të cilësohet si demokratik, duhet të ketë njëkohësisht tre tipare të domosdoshme: pavarësinë, profesionalizmin dhe përgjegjësinë.
Nisur nga sa më lart, natyrshëm lind pyetja; po pushteti gjyqësor i Republikës së Shqipërisë, a i zotëron të tre këto tipare? Në gjykimin tim, nisur nga përvoja ime profesionale dhe akademike, por bazuar edhe në gjetje të tjera të pakundërshtueshme, në raporte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, pushteti gjyqësor në Shqipëri, nuk i zotëron këto tre tipare të domosdoshme.
Konkretisht, pavarësia e tij është cënuar vazhdimisht nga pushtet e tjera, por shpesh edhe nga vetëdëshira e anëtarëve të këtij sistemi për t’ju nënshtruar pushteteve të tjera posaçërisht atij ekzekutiv me qëllimin e përfitimit të favoreve personale në kurriz të dhënies së drejtësisë. Pra drejtësia, nga një qëllim i përjetshëm dhe universal për t’i dhënë secilit atë që i takon, është shndërruar në instrument të përfimit personal ose në një mjet për kontrollin shoqëror të klasës qeverisë ndaj vetë sovranit popull. Kjo nënkupton që reforma në drejtësi duhet të forcojë pavarësinë dhe të shmangë ndikimin politik edhe në rastet kur emërtimi bëhet nga organet politike. Megjithatë, që drejtësia të jetë e pavarur ajo duhet të përbëhet vetëm nga njerëz të lirë dhe me dinjitet të cilët kanë moralin, karakterin dhe bindjen e duhur për të mos ju nënshtruar askujt përveçse ligjit.
Anëtarët e këtij pushteti në masën më të madhe (respekt dhe vlerësim maksimal për njerëzit me vlera që ka ky sistem), përfaqësojnë njerëz të paaftë, të cilët kanë ngjitur karrierën e tyre mbi bazën e nepotizmit, favoreve të ndërsjellta, korrupsionit, vënien në shërbim të politikës etj. Ky konstatim, tashmë nuk është vetëm një tezë, por është një fakt i mirëprovuar dhe i gjithpranuar. Shëmbëlltyra e mungesës së këtij tipari, janë vetw padrejtësitë e shumta, që ky sistem ka bërë në emër të drejtësisë. Kjo gjë, bën të domosdoshme që të ndërtohet një sistem karriere, i bazuar vetëm në meritokracinë e në pastërtinë e figurës dhe duhet të zhvishet nga mekanizmat që krijojnë privilegje, apo kufizojnë prurjet në këtë sistem. Shkurt dhe bukur, epoka e “Kunatit të shokut Xhemal” duhet të marrë fund, por që kjo gjë të marrë fund në drejtësi, duhet që ajo të marrë fund edhe në dy pushtetet e tjera dhe kjo gjë realizohet vetëm nëpërmjet një sistemi demokratik zgjedhor që demokratizon zgjedhjen e deputetëve dhe funksionale dhe zhvesh kryetarët e partive nga një pushtet monarkik që kanë sot.
Tipari i tretë, në thelb është edhe tipari që i ka munguar më së shumti këtij pushtetit dhe që për të cilin është folur më pak. Tashmë, është fakt që ky pushtet ka qenë tërësisht i papërgjegjshëm ndaj shoqërisë. Në fakt, ky pushtet falë vetë natyrës dhe funksionit të tij në shoqëri, ka përfaqësuar pjesën më të mbrojtur nga veprimi i ligjit. Pra praktikisht, ky pushtet ka zbatuar një ligj, i cili nuk ka vepruar ose nuk ka mundur të veprojë ndaj vetë tij. Kjo midis të tjerash, për shkak të imunitetit të keqpërdorur që ka zotëruar ky pushtet, si dhe mungesës së përgjithshme të llogaridhënies në demokracinë tonë të nëpërkëmbur. Kësisoj, rimishërimi i këtij tipari kërkon një organ të akuzës të ndërtuar mbi garancitë e nevojshme që e bëjnë atë të “paprekshëm” nga pushtetet e tjera, por në të njëjtën kohë nuk e zhveshin atë nga llogaridhënia para organeve të drejtësisë.
Në të vërtetë, forcimi i pavarësisë së prokurorit ishte një ndër hapat e duhur të realizuar dhe tashmë mbetet që atij ti forcohet edhe ndjenja e drejtësisë dhe zhveshja e mentalitetit komunist që mbivlerëson interesin shtetëror dhe nëpërkëmb dëri në përdhosje interesin e individit. Që një gjë e tillë të realizohet, ka nevojë për prokurorë kurajozë, profesionalĽ, me dinjitet dhe të lirë, të lirë nga nevoja për të mos zbatuar ligjin dhe nevoja për të mos i shërbyer drejtësisë dhe një ndryshim kaq i rëndësishëm kërkon një frymë krejtësisht të re të drejtimit të organit të akuzës.
Shoqëria jonë, duhet ta ketë të qartë më shumë se kurrë, që reformimi, pastrimi dhe shërimi i pushtetit gjyqësor në vendin tonë, janë “Thembra e Akilit” për ndërtimin e një demokracie të vërtetë funksionale. Ndërkohë, realizimi i një reformë të tillë nuk mund të bëhet pa përkrahjen e aleatëve dhe miqve tanë historikë si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera mike. Ndryshe, çdo njeri nga ne, duhe të jetë i bindur, se pa një drejtësi të pavarur, profesionale dhe të përgjegjshme, asnjë nga ne nuk do të mund të jetojë me dinjitet dhe i lirë. Ka ardhur koha, kur “Drejtësia” duhet të japë drejtësi për vetë “Drejtësinë”.
* Avokat, Prof. Asoc. Dr.