Drejtori i Komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, Michael Dubke ka dhënë dorëheqjen. Lajmi është bërë i ditur nga Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway.
Dubke e ka dorëzuar kërkesën e tij për dorëheqje para se Presidenti Donald Trump të nisej për udhëtimin e tij 9-ditor jashtë vendit. Të paktën kështu raporton “Associated Press”.
Sipas këshilltares Conway, në Shtëpinë e Bardhë ka shumë punë për të bërë gjatë këtyre ditëve që presidenti Trump mungon, për këtë arsye, Michael Dubke do të vazhdojë të punojë, derisa kreu i SHBA-ve të kthehet.
Nga ana tjetër vetë Dubke është shprehur në një prononcim për Politico” se dorëheqjen e kishte kërkuar që më 18 maj dhe presidenti Donald Trump e kishte pranuar atë.
Megjithatë ende nuk bëhen me dije arsyet e këtij vendimi dhe detaje të tjera. (D.D/Shuplaka)