Policia e Shtetit zhvilloi një takim të posaçëm me përfaqësues të Këshillit të Prindërve të Tiranës, me qëllim koordinimin më të mirë të zinxhirit të përgjegjësive dhe marrjen e masave konkrete për garantimin e sigurisë së fëmijëve – një ndër prioritetet absolute të punës së saj.
Gjatë këtij takimi, u trajtuan disa çështje kyçe që prekin sigurinë e fëmijëve në përditshmërinë e tyre, si:
-
Siguria e nxënësve brenda dhe përreth ambienteve të shkollës;
-
Rritja e sigurisë rrugore në zonat pranë shkollave;
-
Mbrojtja e fëmijëve në hapësirën kibernetike dhe siguria online;
-
Siguria gjatë aktiviteteve sociale ku marrin pjesë fëmijë dhe të rinj;
-
Forcimi i bashkëpunimit midis komunitetit të prindërve dhe Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e cilësoi këtë takim si shumë të rëndësishëm dhe vlerësoi kontributin e Këshillit të Prindërve të Tiranës, duke theksuar se rekomandimet e tyre janë thelbësore për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve – të ardhmes së vendit.
Ai garantoi se strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë maksimalisht të angazhuara për të bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet me të gjithë aktorët përgjegjës për sigurinë në shkolla.
Ndër të tjera, Drejtori Proda deklaroi:
“Policia e Shtetit e ka prioritet sigurinë në shkolla. Ne e trajtojmë me seriozitet çdo konflikt, edhe ato të vogla mes bashkëmoshatarëve, në bashkëpunim të ngushtë me oficerët e sigurisë, drejtuesit e shkollave dhe bordet e prindërve, të cilët luajnë një rol thelbësor në këtë proces. Kam dhënë udhëzime të veçanta që, pavarësisht ngarkesës, shërbimet policore të intensifikojnë monitorimet në ambientet shkollore, sidomos gjatë javëve të fundit të vitit shkollor.”
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt një bashkëpunimi më të ngushtë ndërinstitucional dhe komunitar, në funksion të një ambienti më të sigurt për fëmijët tanë.