Drejtori i Gjimnazit shtetëror “Mirçe Acev” në Prilep është filmuar nga nxënësit e kësaj shkolle duke folur kundër gjuhës shqipe dhe rrezikut që sjell dygjuhësia në Maqedoni.
Një nga nxënësit shihet duke replikuar me drejtorin duke i thënë se në një institucion arsimor është e ndaluar të flasësh për politikë, por drejtori nuk e ka marrë parasysh këtë gjë.
“Nëse ndodh aplikimi i gjuhës shqipe, nëse ndodh vendosja e simboleve shqiptare në monedha, nëse ndryshon himni, flamuri…”, ka thënë drejtori i shkollës.
“Drejtor, a nuk është turp të mbani fjalime politike në shkolla?”, ia kthen një nga nxënësit.
Nuk është hera e parë që profesorë që mbështësin VMRO-në të flasin nëpër shkolla për çështje politike, madje analistët e kanë dënuar këtë gjë dhe kanë kërkuar që fëmijët të mos përzihen në të tilla çështje.
Ndërkohë, ende nuk është marrë asnjë masë ndaj drejtorit të gjimnazit “Mirçe Acev”.
Në Maqedoni protestat kundër gjuhës shqipe po mbahen për dy javë me radhë, nën organizimin e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.
Organizatorët e protestave thonë se do të dalin në rrugë për të protestuar në Shkup dhe qytetet e tjera të Maqedonisë, derisa lideri i socialdemokratëve, Zoran Zaev, ta hedhë tërësisht platformën shqiptare. Ata konsiderojnë se ky dokument është hartuar në Tiranë dhe si i tillë cenon karakterin unitar të shtetit të Maqedonisë. (M.D/ Shuplaka)