Pas denoncimit të saj se prej disa vitesh ishte sorrollatur në zyrat e ALUIZNI-t drejtori i zyrës në Berat u shkarkua nga detyra nga kryeministri Rama.
Hëna Caka tregon për “News 24” se është sorollatur plot pesë vite deri në marrjen e legalizimit të një shtese prej vetëm 18 metra katror në katin e parë të një pallati pesëkatësh.
Ajo rrëfen se çdo javë ka shkuar në zyrat e ALUIZNIT-t në pritje që problemi i saj të zgjidhej po kjo nuk kishte ndodhur.
Ndërkohë që Caka thotë se nuk do të donte kurrsesi që puna të shkonte në shkarkimin e drejtorit të ALUIZNI-t, Përparim Sino, po thotë se ajo ka qenë në të drejtën e saj.
Znj. Hëna, prej sa vitesh kishit bërë kërkesën për legalizimin dhe për çfarë objekti bëhej fjalë?
Problemi im me legalizimin, pasi për mua u bë një problem dhe pse nuk ishte i tillë, nisi që në vitin 1994. Si shumë shqiptarë të tjerë dhe ne vendosëm që të bëjmë një shtesë të vogël në shtëpinë tonë. Banesa ime që është në lagjen “30 Vjetori”, në katin e parë dhe kjo më jepte mundësi që të shtoja një dhomë të vogël që e përdorim dhe sot e kësaj dite për gatim. As që e mendonim atëherë që kjo shtesë e vogël do të bëhej objekt sorollatjesh dhe aq më shumë që puna të shkonte deri te Kryeministri i vendit.
Përse u ankuat deri tek Edi Rama?
Po sepse nuk kisha asnjë rrugëzgjidhje tjetër. Në vitin 2012, pasi jemi kthyer nga Turqia ku jetuam pas vitit 1997 bëmë kërkesën për legalizimin, pasi bëmë dokumentet e tjera për ndërtimin në fjalë. Shtesa ime e vogël nuk i prishte punë askujt. Pasi kishim dokumentet e tjera që duheshin, u bëmë gati që ta legalizojmë sepse unë doja që t’ia lija djalit dokumentet në rregull. Dhe kështu bëmë, në vitin 2012 dorëzuam dokumentet dhe ishim në pritje të certifikatës së pronësisë. Por, pesë vite jo vetëm që nuk e mora legalizimin, por jam endur nëpër zyra.
Çfarë ka ndodhur gjatë këtyre pesë viteve?
Kam shkuar gati çdo javë te Zyra e Legalizimeve në Berat. Kërkoja takim me drejtorin, me specialistë dhe askush nuk më jepte një shpjegim se përse nuk po bëhej legalizimi im. Nën pretendimin se komshiu që jeton në katin sipër meje ankohej për ndërtimin, gjë që s’ka se si të jetë e vërtetë, pasi shtesa është në katin e parë dhe nuk prek askënd, është vetëm një objekt prej 18 metrash, nuk ma bënin legalizimin. Më kanë lodhur aq shumë sa pak muaj më parë iu drejtova me letër Drejtorit të Përgjithshëm të Legalizimeve, që më ktheu përgjigje se do ta shikonte problemin. Një vit më parë i jam drejtuar Avokatit të Popullit dhe ai më premtoi se do ma zgjidhte këtë çështje.
Pas kësaj, ju iu drejtuat Kryeministrit kur erdhi në Berat…
Të hënën në mëngjes dëgjoj në lajme që dëgjesa e radhës e Kryeministrit do të ishte në Berat dhe nuk u mendova dy herë, por vendosa që do të shkoj t’i them. Dhe ashtu bëra. Në mbrëmje isha te dëgjesa dhe mora mikrofonin. Ngrita shqetësimin tim. Ai menjëherë thirri drejtorin e ALUIZNI-t që ishte në takim dhe ndodhi ajo që patë të gjithë, i dha ultimatum: “Nesër nëna të marrë legalizimin ose ti ikën nga puna vetë”. Unë në këto çaste u qetësova menjëherë, pasi u binda që do ta merrja legalizimin.
E morët legalizimin?
Të martën në mesditë më merr në telefon vetë drejtori Përparim Sino, të cilin unë e kam takuar me qindra herë, nuk e mbaj mend se sa herë dhe më priti në zyrën e tij. I dhashë fotokopjen e pagesës që kisha bërë në bankë dhe mora legalizimin që shihni ju.
Kur dëgjuat për shkarkimin e tij si u ndiet?
Në fakt më tha djali dhe nusja në shtëpi që drejtori është shkarkuar dhe me erdhi keq sepse nuk doja që gjithë kjo të ndodhte për shkakun tim, por unë nuk kam asnjë faj. Unë kërkoja të drejtën time dhe e mora, nuk i kam faj as drejtorit, askujt tjetër. Nëse do ta kisha marrë legalizimin nuk kisha përse të ankohesha dhe e gjithë kjo nuk ndodhi për fajin tim, por për shkak të sorollatjeve pa fund.
(E.K/SHUPLAKA)