Analisti Dritan Hila, i ftuar në emisionin “Tonight Ilva Tare” ka folur për çështjen e negociatave mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.
Sipas Hilës, arsyeja se pse Basha ka pranuar më në fund Paketën McAllister, kur është risjellë sërish në tryezën e diskutimeve, këtë radhë nga zëvendës ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit Hyot Brian Yee, ka të bëjë me zgjedhjet brenda Partisë Demokratike të cilat janë në korrik.
“Problemi është se si do të implementohet kjo qeveri e re që unë e shikoj si qeveri të koalicionit të madh, nuk e shikoj si një qeveri teknike. Do të kemi një problematikë se si do të punojë kjo qeveri. Në periudhën e ngushtë 1 mujore, Partia Demokratike nuk është në gjendje të implementojë objektivat e saj. Do të jetë këmbëngulja e saj për ta shtyrë datën e zgjedhjeve pas shtatorit.
Fakti që pranoi një paketë të ofruar në tavolinë një muaj më përpara dhe ishte më e favorshme për PD-në sepse ishte e përfshirë edhe LSI-ja, ndoshta ka të bëjë edhe me faktin që z.Basha ka përpara zgjedhjet në parti në korrik dhe nuk do që t’i kalojë në testin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe ky ndoshta është një faktor shtesë por jo i domosdoshëm që ky nuk e pranoi atëherë paketën por e pranon tani dhe do luftojë për datën e zgjedhjeve. Unë e shikoj të vështirë që zgjedhjet të bëhen më 18, vetëm në rastin që faktori ndërkombëtarë të ushtrojë presion të fortë.”, shprehet Hila. (D.D/Shuplaka)