Mbrëmjen e sotme, analisti Dritan Hila, është shprehur se kryeministri Edi Rama “do ta shtrydhë avash-avash” kreun e PD-së Lulzim Bashën. Këtë deklaratë analisti e ka bërë ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Tonight Ilva Tare”.
“Si do të jetë PD do të vendoset shumë nga mënyra e liderit aktual z.Basha. Do ta shohim nga mënyra se si sillet në Parlament. Në qoftë se grupi parlamentar largohet nga salla kur të ngrihet z.Berisha dhe jo kur çohet z.Basha ata do të fillojë problemi. Kemi parë gjatë çadrës një “pjekje” të zt.Basha. Le ta themi me terma vendas, trashje të zërit, formësimin e një personaliteti udhëheqësi. A do të jetë në gjendje që në përplasje me z.Rama të formojë profilin e tij luftarak? Në qoftë se z.Basha mendon se do ta vazhdojë marrëveshjen me z.Rama, z.Rama ka për ta shtrydhur avash-avash z.Basha.
Z.Rama mund të them se është politikani më i aftë për intrigën e vogël në kulisat e pushtetit. Kështu që për çdo njërin prej tyre ka ditur ta rrëzojë duke i futur stërkëmbësin dhe ta rrëzojë. Qëndrimi i dytë, i z.Basha është me kundërshtarët, sepse mendoj se ka dy grupe. Një grup është ai që e sabotoi që në zgjedhjet lokale dhe e sabotuan edhe në këto zgjedhje dhe thanë kemi një rënie të PD-së. Rënia e PD-së ishte për shkak të mungesës së besimit, por edhe një rasti të pashembullt që 20 ditë përpara zgjedhjeve kërkojnë heqjen e kryetarit. Këta nuk kanë më të ardhmen.”, është shprehur Hila.
Ndërkohë, i pyetur nëse ndonjë nga kundërshtarët e Bashës, si Topalli apo Bode, kanë shanse të krijojnë një forcë të re politike, Hila është përgjigjur se asnjëri prej tyre nuk e ka karizmën e liderit.
“Asnjëri prej tyre nuk ka karizmin e liderit që mund të formojë një parti të re konkurruese. I vetmi rast ka qenë z.Meta, i cili ka qenë kryeministër dhe “kafshë” politike e lindur, i cili megjithatë me zor arriti të merrte 4 deputetë.”, shton më tej analisti. (D.D/Shuplaka)