Dritan Zagani ka ngritur padi ndaj gazetës “Reportage” në Itali referuar akuzave që i janë bërë ndaj tij, të cilat i referohen kryesisht pasurisë që zotëron. Ish oficeri i anti drogës shprehet se të gjitha fjalët që janë publikuar në gazetë i referohen vetëm fjalëve të ish ministrit Saimir Tahiri, për të cilin thotë se ka shpifur.
Në një intervistë për Fax News, thotë se gjykata insiston që në cilësinë e dëshmitarit të thërritet edhe ish kryeministri Sali Berisha, i cili thuhet se i ka dhuruar shtëpi Zaganit në një zonë turistike.
Fjala e plotë e Zaganit
Kjo është një provë për të kërkuar drejtësinë e munguar në vendin tim. Të paktën të japim shenja se jemi gjallë dhe drejtësia do të kërkohet deri ditën e frymën e fundit. Po bëjmë përpjekje që ta fillojmë matanë detit që të bëjmë disa hapa të sigurtë drejt Strasburgut meqë në Shqipëri, drejtësia është në shërbim.
Unë jam njohës i mirë i gjuhës italiane. Në fakt, për atë artikull kam pasur dijeni që kur gazetarët italianë kanë qenë në Shqipëri dhe po kërkonin të bënin një artikull përgjithësues për situatën e drogës, krimit të organizuar në Shqipëri sepse po ta lexoni dhe titulli është “Parajsa e marijuanës në Europë për Shqipërinë”.
Gazetarët kur ishin në Shqipëri ndërruan mendje pasi takuan dhe intervistuan ministrin dhe nuk kontaktuan më me mua personalisht. Pastaj artikulli doli, pashë që kishte frazeologji të gabuar dhe ishte një reklamë e mashtrimeve të ish ministrit Tahiri. Në këto kushte nuk mund të rrija duarkryq. Gazetarët kur ishin në Shqipëri kanë zhvilluar takime me njerëz të ndryshme, kanë bërë hulumtim përgjithësues dhe në këto kushte kanë bërë dhe një artikull përgjithësues, por mua më ngeli shija e hidhur e frazeologjisë sepse bazoheshin në identitetin tim vetëm tek fjalët e ministrit. Dihet që ai do mbrohet me shpifje sa të mundet dhe i komentonin në stilin e tyre gazetaresk. Kjo më dogji pak dhe mora kontakte nëpërmjet miqve për gazetarin. E mora në telefon dhe i thashë keni shpifur juve. Por më tha që nëse ne na ka gënjyer ministri i një shteti, ju jeni viktima të ministrit, por nëse keni prova që e vërteton se gënjen, e përgënjeshtrojmë artikullin dhe brenda javës të marrim në intervistë ty.
I thashë mua nuk kanë ardhur të më marrin në intervistë, unë ti jap të gjitha materialet dhe brenda javës duhet të përgënjeshtrosh artikullin ose në të kundërt do të shihemi në gjykatë. Ndodhi kjo që ndodhi sepse artikulli nuk u përgënjeshtrua.
Nuk kam as shtëpinë në pronën time, jo më këto që kemi lexuar sot. Thjesht kanë dalë si thashetheme të dalë nga politika e dreqit.
Në Shqipëri kam denoncuar median dhe konkretisht Carlo Bolinon dhe nuk ka funksionuar për të njëjtën gjë. Unë kam qenë në seancën gjyqësore si palë akuzuese në datën 4 të këtij muaji që u zhvillua për më shumë se një orë, nga pala e akuzuar i gazetës në fjalë për të justifikuar sado pak veprimin e gazetarëve, u kërkua që të thirren si dëshmitarë në gjyq për faktin e provës të cilën e mohoj kategorikisht që të më jetë dhuruar gjë nga shteti apo Sali Berisha, ish kryeministrit të asaj kohe.
Akuza është dhurimi i një shtëpie në një zonë turistike. Do të tentojmë që të thërritet edhe Sali Berisha në titullin e ish kryeministrit për të vërtetuar nëse ka pasur njohje me mua apo lidhje me tokën. Unë shpreha mendimin tim, megjithatë gjykata insistoi që këta persona të merren në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve. Në muajin Mars, kur u caktua dhe seanca tjetër, do pritet dhe rezultati se në çfarë forme do të merren në pyetje.
(A.M/Faxweb.al)