5 persona kanë rënë në prangat e policisë së Fierit për një sërë veprash penale nga vjedhje në shpërndaje të lëndëve narkotike. Siç raporton policia, bëhet fjalë për shtetasit, D.D, J.C, M.H dhe O.V në Fier, gjithashtu 27 vjeçari Petrit H i shpallur në kërkim prej kohësh.
Njoftimi i policisë
Vijon zbatim i planit të masave për “Kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e autorëve të ndryshëm të veprave penale”. Në zbatim të këtij plani, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier të mbështetura nga FNSH Fier kanë kryer kontrolle të befasishme. Kontrollet janë kryer në lokale nate, ambiente të ndryshme dhe në akset rrugore të qytetit të Fierit, Patosit e Roskovecit. Kontrollet për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike.
Si rezultat i kontrrolleve janë arrestuar 5 shtetas, 1 është proceduar në gjendje të lirë dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim.
Po gjatë kontrolleve u shoqëruan për verifikim 13 persona kryesisht me precedent penal të dyshuar për “Shpërndarje të lëndëve narkotike” dhe për “Vjedhje”. Gjatë kontrolleve u kapën dhe u arrestuan në flagrancë 4 shtetas të cilëve gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë iu gjetën doza lëndë narkotike të dyshuara Cannabis Sativa, konkretisht shtetasit:
- D.D, banues në Roskovec
- J.Ç, banues në Roskovec
- M.H, banues në Roskove
- O.V, banues në Patos.
Gjithashtu, u kap shtetasi i shpallur në kërkim:
- Petrit H., 27 vjeç, banues në Mallakastër për veprën penale “Vjedhje”.
Po në kuadër të kontrolleve të lokaleve, filloi procedimi penal për shtetasin:
- R.S, banues në Roskovec për veprën penale “Organizimi i llotarive të palejuara” si edhe u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi S.R, për veprat penale “Vënie
në dispozicion të lokaleve për lojra të palejuara” dhe “Organizim i llotarive të palejuara”.
Kontrollet do vijojnë në gjithë Qarkun e Fierit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.
Policia e Fierit falënderon qytetarët për mirkuptimin dhe mbështetjen dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit duke u garantuar ruajtjen e anonimatit si dhe një reagim në kohë të Policisë.
(J.D/Faxweb.al)