Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, i ka kërkuar informacion ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirulliu, lidhur me masat e ndërmarra nga vendi ynë kundër koronavirusit që ka prekur Kinën, dhe është shpallur emergjencë shëndetësore nga ana e OKB-së.
“Bashkëndajmë rëndësinë e një informimi urgjent lidhur me emergjencën ndërkombëtarë të shpallur për koronavirusin. Nga informacioni i bërë publik ende nuk e ka prekur Shqipërine, por është e rëndësishme që të informohet për masat që janë marrë nga qeveria.
Ka qenë një kordinim i mirë për riatdhesimin e pjesshëm të studentëve shqiptarë nga Kina, falenderim për ambasadën në Ankara”, u shpreh Balla, ndërkohë që Manastirlliu tha se po merren të gjitha masat për koronavirusin.
“Ju siguroj që Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtë me institucionet, po ndjek me kujdes masat qe duhet të ndërmerren për të parandaluar virusin. Koronavirusi i ri nuk është identifikuar më parë, për herë të parë në Kinë në fundin e vitit 2019.
Kemi të bëjmë me diçka serioze që kërkon bashkëpunim ndërkombëtar, derimë sot në Shqipëri nuk ka asnjë rast. Ministria e Shëndetësisë ka marrë një seri masash, është ngritur task forca nga 24 ekspertë, dhe situata është nën kontroll”, tha Manastirlliu në fjalën e saj.