Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot serinë e përgjigjeve ndaj komentuesve në “Sy m’sy”.
Një nga temat për të cilat kreu i qeverisë foli sot është projekti për ujësjellësin e Tragjasit.
Rama ka deklaruar se ky projekt është mbështetur në një studim të thelluar hidrologjik dhe ka përfshirë matje të vazhdueshme të prurjeve dhe analizat e nevojshme për të siguruar se resurset e ujit do të përdoren në mënyrë të drejtë dhe të balancuar.
Ai ka theksuar se reagimi mund të ishte i justifikuar nëse do të flitej për një hidrocentral, por që ky është një projekt ujësjellësi që ka si qëllim sigurimin e ujit për konsum dhe nevoja të tjera të qytetarëve, duke përfshirë edhe mbrojtjen e mjedisit dhe vaditjen.
“Diskutim që ka në thelb një pikëpyetje shumë të madhe për mua. Si ka mundësi të bihet pre e një konfuzioni sepse jam i bindur që pas kësaj ka burime helmi që kanë derdhur sasira të caktuara në mendjen e tragjasiotëve, por përtej këtyre, pyetja është shumë e thjeshtë, si është e mundur të imagjinohet që një qeveri të marrë ujin që u duhet disave për t’ia dhënë disa të tjerëve. Këtu është futur brenda edhe kuçedra, oligarkët që marrin ujë për qëllimet e tyre, por nga ana tjetër jam përpjekur ta shpjegoj që ky projekt bazohet në studim të mirëfilltë hidrologjik, janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve, analiza për të arritur në konkluzionin se çfarë prurjesh ka, sa janë ato që i duhen mjedisit ekologjik përfshirë edhe vaditjen, sa janë ato që duhen për konsum, sa ikin në det etj etj. Të gjithë këto aspekte teknike. Mbi bazën e tyre është bërë projekti.
Prurja minimale janë 700 litër për sekondë. Reagimin do ta kuptoja nëse do të bëhej fjalë për një hidrocentral, por bëhet fjalë për një ujësjellës. Burimet nuk janë të një komuniteti apo një tjetri, por të Republikës së Shqipërisë, vihen në interesat e saj pa cënuar interesat e tyre që kanë të drejtën të kenë akses në burim”, tha ai.