Të dielën në Rrogozhinë do të përsëriten zgjedhjet lokale, për shkak të apelimit të procesit nga kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Shkëlqim Hoxha, kërkesa e të cilit u pranua nga Kolegji Zgjedhor.
Në një lidhje skype për Fax News, Hoxha është shprehur se në 14 Maj ai ishte fitues, dhe rezultati u kthye në favor të socialistëve vetëm në sajë të votave të burgut. Ndërkohë që sa i takon zgjedhjeve të së dielës, ai tha se presioni është rritur ndjeshëm, dhe në Rrogozhinë kanë zbarkuar përfaqësuesit më të lartë socialistë, dhe drejtorë të ndryshëm.
“Të burgosurit nuk do të votojnë në këto zgjedhje, ishte diçka e drejtë që do të duhej të ndodhte që në fillim. Në fazën e parë në 14 Maj, problemi ishte burgu, pjesa tjetër deri diku ishte e pranishme.
Në këtë fushatë ka ndryshuar situata, është komplet tjetër, këtë radhë është terrorizo, total, ka zbarkuar e gjithë qeveria në Rrogozhinë, e gjithë bashkia e Tiranës është në Rrogozhinë, është një armatë e tërë përballë një kandidati të vetëm. Të vjen drejtori i Tatimeve thotë do të vë gjobë, të vjen drejtori i AKU thotë do të vë 6 milionë lekë, edhe pastaj për ta hequr duhet të takosh Lali Erin. Presionet janë të jashtëzakonshme, të gjithë drejtorët janë këtu, duhet të kalosh 7 postoblloqe policie që të vish këtu.
Është një situatë e çuditshme, a thua që po konkurojmë për Bashkinë e Parisit dhe jo për Bashkinë e Rrogozhinës. Një qeveri e tërë përballë një kandidati të vetëm, është krijuar perceptimi sikur konkuroj unë me Erionin”, tha Hoxha.
Discussion about this post