Agron Duka, kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste si dhe një nga aleatët e Lulzim Bashës, ka drekuar ditën e djeshme me kryetarin e Kuvendit Ilir Meta. Duka në një intervistë telefonike jep detaje nga ky takim që siç e thotë, nuk kishte si të mos flitej për politikën. Pak minuta më pas Duka i dërgoi një letër zyrtare Metës, ku i kërkonte mbështetje atij për qeverinë teknike. ”Lëvizja e Metës e mbaron këtë punë!”, thotë mes batutës Duka.
Për takimin me Metën ju marrim Z.Duka…
Ka qenë një drekë normale.
Tema e bisedës ka lidhje me letrën që keni dërguar?
Unë e kisha parapërgatitur letrën për shkak të datës 20 dhe i kisha dhënë një sinjal Metës në një intervistë të mëparshme. Aty i bëja thirrje atij pikërisht për shkak të kushteve që po kalojmë, për hatër të stabilitetit dhe zgjedhjeve të ndershme, meqë ai dikur ka dhënë edhe një shenjë të tillë që mund të tërhiqej për një qeveri teknike për të shmangur kontestimet.
Si ju është përgjigjur Meta?
Letrës ende nuk i është përgjigjur, ndërsa në drekë kemi diskutuar sigurisht për politikë, se me Metën s’mund të bësh diskutime futbolli. Po të takosh Metën do bësh diskutime politike, po të takosh vëllanë tim do bësh diskutime futbolli (Qesh).
Nëse do ishte një takim zyrtar për një një temë të caktuar, do ishim të dy në një zyrë. Ne ishim në restorant dhe natyrisht me kryetarin e Kuvendit gjuha rrotullohet te politika, te aktualiteti. Në takim nuk i tregova Metës se do t’i nisja në letër pak minuta më pas.
E kisha vendosur që letra t’i shkonte në datën 20, në datën simbolikë të protestës së madhe për hedhjen e bustit të Enver Hoxhës.
Si mund të realizohet qeveria teknike sipas këndvështrimit tuaj?
Shqipëria ka eksperiencë me qeveritë teknike, edhe në situata të mëparshme, natyrisht duhet që qeveria të mos ketë njerëz me profil të lartë politik, ata mund të përfaqësojnë parti të ndryshme politike, të jenë të paanshëm, të mos diktojnë në zgjedhjet e ardhshme. Dihet që nëse ke në dorë ministritë kryesore dhe për më tepër gjithë qeverinë, ndikimi është jashtëzakonisht i madh sidomos në këto kushte që janë krijuar: Një klimë mosbesimi si te njëra palë, edhe te pala tjetër. Për mua nuk ka asgjë të keqë që tre muaj para zgjedhjeve të ngrihet një qeveri teknike, një qeveri gjithëpërfshirëse, po të kërkosh gjen specialistë sa të duash. Natyrisht teknicienë dhe jo politikanë.
Që të realizohet një qeveri teknike duhet të kemi patjetër reagimin e LSI-së dhe PS-së, pra maxhorancës. Mendoni që ata do reagojnë?
Personalisht unë, edhe opozita natyrisht, e mendon përderisa proteston. Personalisht prandaj i kërkoj mbështetje Metës sepse e mendoj që mund të realizohet.
Pra lëvizja e Metës, mund të jetë sinjali i parë drejt qeverisë teknike?
Lëvizja e Metës e mbaron këtë punë! Të bëhet 71-shi nga qeveria aktuale është shumë e vështirë them unë, edhe po të marrim parasysh se mund të ndonjë trafikim vote.
Sipas numrave realë, nëse LSI-ja mendon që të kalojmë në një qeveri teknike, askush nuk do t’i thotë jo më realizimit të qeverisë teknike!
Ju shihni një dritë në fund të tunelit, pra nëse deputetët e LSI-së bashkohen me ata të opozitës…
E kam thënë dhe po e them prapë dhe e kam bindje, këdo që të pyesësh: opozitarë apo maxhorancën: Këto zgjedhje janë të paragjykuara nëse futemi në to.
Opozita nëse shkon në zgjedhje, shkon për të humbur. Ose me qeveri teknike, ose të mos futet në zgjedhje! Pra ndeshja është e mbaruar, ”arbitrat” e kanë mbaruar. Ka dy rrugë: ose me qeveri teknike, me qeveri të paanshme në mënyrë që të garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ose mos të futemi fare. Këtë nuk e them vetëm unë, e ka thënë dhe Lulzim Basha pas një konsulte të gjatë, jemi në unison me këtë kërkesë.
Ç’mendoni për tezën e Henri Çilit për shkarkimin e Tahirit?
Shkarkimi i Tahirit nuk rregullon asnjë gjë. Qeveria ka një mënyrë qeverisje, një mënyrë menaxhimi që edhe nëse bëhet rrokadë, e njëjta gjë do jetë. Do ndodhë vetëm që të flasin pak më pak nëpër media por mënyra e menaxhimit të qeverisjes do jetë po të njëjtë nga kryeministri.
Ç’mund të na thoni për zonën e Durrësit. Keni qenë një nga politikanët më aktiv në zgjedhjet e 2015-ës aty. Nëse marrim në referencë edhe deklaratat e forta të ministrit Lefter Koka lidhur me policinë dhe betonin…
Unë kam qenë një nga aktorët e zgjedhjeve të 2015-ës në mbështetje të kandidaturës së zonjës Grida Duma. E kam denoncuar menjëherë pas zgjedhjeve që ato u vodhën, nuk qenë reale, u bë presion mbi zgjedhësit, dhe që rezultati ishtemanipuluar.
Natyrisht në marrëdhënie me mënyrën e qeverisjes së pushtetit vendor unë kam patur vërejtjet e mia të vazhdueshme.
Partia Agrare Ambjentaliste ka qenë e para që denoncoi projektin ”Veliera”, pastaj vazhdoi shoqëria civile në mbështetje të së cilës kemi qenë vazhdimisht. Madje edhe sot, edhe pse ka një vendim gjykate kundër, po i vazhdojnë punimet dhe njerëzit po vazhdojnë të protestojnë. E kam denoncuar Dakon edhe për kantierin 10-vjeçar që ka te rruga e plazhit. E kam denoncuar për arrogancën e tij.
Kështu që pavarësisht se unë jam kundërshtar politik me ministrin e Mjedisit, në këtë kontekst jam dakord me të. (V.G/SHUPLAKA)
Discussion about this post