Kreu i PAA-së Agron Duka fton përmes një letre zyrtare kreun e LSI-së Ilir Meta, që ky i fundit të nga koalicioni me PS-në dhe të krijohet një qeveri teknike deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Simbolikisht, këtë 20 shkurt, po ju drejtohem ju z. Meta si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të filluar një histori të re të zgjedhjeve politike shqiptare. E ardhmja e vendit nuk mund të jetë vetëm çështje numrash. Nuk dua të bëj këtu një bilanc për katër vitet e kaluara, gjykoj se më të rëndësishëm do të jenë katër muajt e ardhshëm. Këto katër muaj që na ndajnë nga zgjedhjet mund të shënojnë një fillim të ri për politkën tonë.”, shkruan Duka.
Kreu i PAA-së shton se nëse shkojmë në zgjedhje me qeveri teknike, asnjë parti politike nuk do të ketë justifikime ose pretendime për rezultatin e 18 qershorit.
LETRA E PLOTË
I nderuar z. Ilir Meta,
20 shkurti është një datë simbolike për qytetarët shqiptarë, një datë që ndanë historinë tonë në dysh. Në një anë të saj qëndron e shkuara totalitare, diktatoriale, pa liri dhe pa të drejta. Në anën tjetër nisi një histori e re, me forma të reja përfaqësimi dhe demokratike. Njëzet e gjashtë vite kanë kaluar nga 20 shkurti i 1991, por sistemi ynë politik gjendet përpara një krize nga e cila vetëm largpamësia jonë si përfaqësues të qytetarëve mund ta zgjidhë, dhe nga rezultati i së cilës do të gjykohemi në të ardhmen.
Simbolikisht, këtë 20 shkurt, po ju drejtohem ju z. Meta si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të filluar një histori të re të zgjedhjeve politike shqiptare. E ardhmja e vendit nuk mund të jetë vetëm çështje numrash. Nuk dua të bëj këtu një bilanc për katër vitet e kaluara, gjykoj se më të rëndësishëm do të jenë katër muajt e ardhshëm. Këto katër muaj që na ndajnë nga zgjedhjet mund të shënojnë një fillim të ri për politkën tonë.
Jam i vetëdijshëm që në botëkuptimin tuaj stabiliteti është kryefjala e politikbërjes. Thënë kjo, për stabilitetin e vendit dhe për të mos ndalur procesin e rregullt demokratik dhe integrimin evropian, ju kërkoj të reflektojmë së bashku mbi alternativat për të arritur një proces zgjedhor në të cilin shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të lirë dhe fituesit e zgjedhjeve të jenë të legjitimuar nga kjo sipërmarrje e përbashkët.
Qeveria teknike është një instrument politik që ju e keni artikuluar publikisht. Qeveria teknike është një garanci për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Qeveria teknike do të jepte një tjetër hov procesit demokratik në vendin tonë. Qindra mijëra qytetar kërkuan këtë në 18 shkurt. Le t’ju japim atyre këtë mundësi. Të shkojmë në zgjedhje me qeveri teknike, jo vetëm për të mbrojtur zgjedhësit dhe zgjedhjet, por për të hequr një herë e mirë nga ligjërata politike post zgjedhore foljen “vjedhje”. Nëse zgjedhjet do të organizohen me një qeveri sa më gjithëpërfshirëse, asnjë parti politike nuk do të ketë justifikime ose pretendime për rezultatin e 18 qershorit. Ky do të jetë edhe një rast i mirë për të dhënë një provë pjekurie politike të domosdoshme për procesin e integrimit evropian.
Për të nisur këtë cikël të ri politik i bëj apel ndërgjegjes tuaj dhe përgjegjshmërisë tuaj.
Sinqerisht,
Agron Duka (D.D/Shuplaka)