Një 15-vjeçar është gjendur nga policia i fshehur në dollapin e rrobave të një pedofili pas dy vitesh që ishte denoncuar si i zhdukur. Ngjarja ka ndodhur në qytetin Recklinghausen të Gjermanisë, ndërsa lajmin e bëri të ditur media gjermane “Bild am Sonntag”, e cila ka intervistuar edhe nënën e adoleshentit.
Sipas mediave gjermane, djali i mitur u zhduk në moshën 13-vjeçare pasi i dha lamtumirën një prej punonjëseve sociale të jetimore ku jetonte. Ai qëndronte në jetimore për shkak të problemeve që kishin prindërit e tij. Pasi i dha lamtumirën, kujdestarja e denoncoi menjëherë në polici si të humbur. Forcat e policisë e kërkuan për 2 vite me radhë, por arritën ta gjenin vetëm këtë fundjavë në dollapin e rrobave të një 44-vjeçari të akuzuar për pornografi fëmijësh.
Pas ngjarjes, 44-vjeçari u arrestua, ndërsa adoleshenti u dërgua në spital për të marrë ndihmë nga një psikolog. E ëma e tij u shpreh për mediat gjermane se djali i saj kishte ndryshuar shumë. “Ai ngjan si plak. Mban ende veshur rrobat që kishte ditën që u zhduk”, ka thënë ajo.
(M. I./ Faxweb.al)