Tre persona shkuan për të peshkuar pasditen e sotme në Porto Romano në Durrës. Gjatë peshkimit, njëri prej tyre, A.N., 40 vjeç ka rrëshqitur në ujë dhe është tërhequr nga rryma.
Ngjarja ka ndodhur në orën 17:15 dhe policia po vijon kërkimet për gjetjen e trupt të 40-vjeçarit. Në ndihmë kanë ardhur dhe polumbarët e RENEA-s për gjetjen e A.N.
Sakaq, policia bën me dije se një grup hetimor po heton rrethanat e rastit.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 17:15, kanë shkuar për të peshkuar në Porto Romano, shtetasit A. N., 40 vjeç, E. N., 34 vjeç (vëllai i 40-vjeçarit) dhe M. V., 33 vjeç. Gjatë peshkimit dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë në ujë, shtetasi A. N., i cili është tërhequr nga rryma dhe nuk ka mundur të dalë nga deti.
Shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së bashku me polumbarët e RENEA-s do të kryejnë kërkimet për gjetjen e trupit të shtetasit A. N.
Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor i ngritur për rastin, po kryen hetimet për të zbardhur rrethanat.