Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës njofton se ndalimi më datë 10.07.2018 i punonjësit të policisë
Haki Dyli, caktuar me detyrë shërbimi në sigurinë e godinës së gjykatës nga Policia e Shtetit, është bërë për llogari të procedimit penal të nisur mbi bazën e kallëzimit të Kryetares, Znj. Joana Qeleshi.
Kallëzimi u krye nisur nga dyshimet se punonjësi i policisë Haki Dyli merrte para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pa dijeninë e këtyre të fundit, duke u premtuar dhe mashtruar qytetarët mbi zgjidhjen në favor të tyre të çështjeve gjyqësore.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës dënon me forcë çdo veprim të paligjshëm të kryer në dëm të qytetarëve dhe punonjësve të drejtësisë, duke treguar vendosmëri në denoncimin e çdo rasti të ngjashëm, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit, shtetit të së drejtës dhe rritjes së besimit të publikut në sistemin e drejtësisë.
Gjykata i bën thirrje kujtdo të cilit mund t’i jetë premtuar apo kërkuar çfarëdolloj shpërblimi i paligjshëm në emër të gjyqtarëve, prokurorëve apo administratës gjyqësore, të paraqesë kallëzim”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës Durrës.
Discussion about this post