Situata e ekonomisë gjermane nuk është aspak e mirë për momentin dhe as e ardhmja nuk duket e mirë. Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck u shpreh para gazetarëve në Berlin të mërkurën (09.10.) se produkti i brendshëm bruto (PBB) i vendit pritet të tkurret në vitin 2024, që do të thotë se ekonomia më e madhe e Evropës do të mbetet e mbërthyer në recesion për të dytin vit radhazi.
Duke zbuluar parashikimin rutinë të rritjes së vjeshtës të qeverisë, Habeck njoftoi një tkurrje të pritshme prej 0.2%, duke rishikuar një perspektivë më optimiste pranverore prej plus 0.3% të rritjes. Ai vuri në dukje, megjithatë, se Gjermania nuk ka parë rritje të fuqishme që nga viti 2018 pasi problemet strukturore të vendit janë komplikuar nga sfidat më të gjera globale. “Në mes të krizës, Gjermania dhe Evropa janë të shtrënguara mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara dhe duhet të mësojnë të konfirmojnë veten e tyre”, tha ai.
Informacionat që vijnë nga bizneset gjermane ka të ngjarë të shtojnë vështirësitë për Habeck, pasi ato nuk sjellin besim, se ekonomia do të rimëkëmbet së shpejti. Në shtator, indeksi i klimës së biznesit i përpiluar nga Instituti ifo me bazë në Mynih shenjoi rënien e tij të katërt radhazi. Presidenti i ifo, Clemens Fuest, tha, se ekonomia është “nën presion në rritje”. Shumica e menaxherëve të kompanive të anketuar nga ifo, thanë se janë të pakënaqur me situatën e tyre aktuale dhe pesimistë për perspektivën e biznesit të tyre. Situata e zymtë ekonomike ka bërë që ekonomisti i DZ Bank, Christoph Swonke, ta përshkruajë Gjermaninë si “fëmija problematik i eurozonës”.
Skifterët e korporatave po vijnë vërdallë
Në kohë të rënies së shitjeve dhe të ardhurave, bizneset shpesh shohin nga partnerë më të fortë për t’i ndihmuar ata të kapërcejnë vështirësitë e tyre. Hekurudha e Gjermanisë, Deutsche Bahn, është rasts i fundit. Kompania ka rënë dakord t’i shesë filialin e saj fitimprurës të logjistikës, Schenker, rivalit të saj danez DSV për rreth 14 miliardë euro (15.3 miliardë dollarë). Prurja e re mund të jetë nxitje shumë e nevojshme financiare për kompaninë shtetërore në vështirësi, e cila është e njohur për vonesat e shpeshta.
Shumë po flitet për një blerje tjetër nga jashtë të Commerzbank. Huadhënësi i dytë më i madh privat i Gjermanisë u shpëtua nga qeveria gjermane pas krizës financiare të 2008/2009, shteti mban ende 12% të aksioneve në bankë. Banka italiane UniCredit ka synim drejt një marrjeje të plotë të Commerzbank, pasi i rriti në mënyrë klandestine aksionet e saj efektive në 21% në shtator, në atë që zyrtarët e industrisë besojnë se mund të bëhet një blerje e ashtuquajtur armiqësore.
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) Christine Lagarde i tha Parlamentit Evropian të hënën (7 tetor) se bashkimet bankare brenda Evropës ishin “të dëshirueshme”, kjo që bankat evropiane të jenë në gjendje të konkurrojnë “në nivel, thellësi dhe në gjerësi” me banka të tjera në mbarë botën. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë kompani gjermani po largohen krejtësisht nga vendi, ose të paktën po investojnë më shumë në fabrikat e tyre jashtë vendit sesa në bazat e tyre vendase në Gjermani. Gjigandi kimik BASF, për shembull, po ndërton një fabrikë me vlerë 10 miliardë euro në Kinë. Dhe ofruesi i shërbimit të energjisë së mesme Techem iu shit nga pronarët e tij zviceranë menaxherit të aseteve të SHBA TPG.
“Kompanitë nuk kanë pasaportë”
Blerjet nga jashtë të kompanive gjermane, madje edhe atyre pjesërisht në pronësi të taksapaguesve, shihet nga ekonomistët si një proces i natyrshëm. Kryeekonomisti i ING Bank, Carsten Brzeski thotë se “stanjacioni ekonomik dhe ndryshimet strukturore kanë natyrisht pasoja” për kompanitë. “Gjatë momenteve të tilla ndodhin blerje, qoftë brenda apo jashtë vendit”, tha Brzeski për DW. Edhe Stefan Kooths, drejtor në Institutin e Kielit për Ekonominë Botërore (IfW), ndan këtë qëndrim, duke shtuar se “kompanitë nuk kanë pasaportë”. Prosperiteti i një vendi nuk do të varet nga kombësia e pronarëve të korporatave të tij, tha ai për DW, por nga cilësia e mjedisit të tij të biznesit. Kooths thotë se ngadalësimi i fundit i investimeve të huaja direkte (FDI) në Gjermani është “një tjetër shenjë e dobësive të vendit” si një vend biznesi. Vendet që janë më të favorshme për të bërë biznes tërheqin kapital të huaj, tha ai, “ndërsa vendet e dobëta shmangen nga investitorët.”
Heqja e burokracisë – premtimi i përjetshëm gjerman
Që nga vitet 1980, qeveritë e njëpasnjëshme gjermane kanë premtuar të reduktojnë burokracinë e mbingarkuar të vendit dhe të nxisin investimet në Gjermani. Pas gjithë atyre viteve, Kooths arrin në konkluzionin, se disa “përpjekje janë bërë” nga ato qeveri, por kryesisht në letër pa “veprime të rëndësishme politike”. Kooths ia hedh fajin jo vetëm qeverisë gjermane, por edhe Brukselit, ku rregullatorët e BE-së krijojnë gjithnjë e më shumë burokraci. “Veçanërisht me kërkesat e tepruara të raportimit të BE-së – nga taksonomia e BE-së deri te rregulloret e zinxhirit të furnizimit – aktorët e tregut pengojnë gjithnjë e më shumë vetveten.”
Carsten Brzeski i ING është dakord, duke sugjeruar dixhitalizimin e burokracisë qeveritare si hapin e parë gjatë rrugës. “Kjo do të përshpejtonte reduktimin e burokracisë dhe gjithashtu do të ndihmonte në adresimin e mungesës së punëtorëve të kualifikuar në shumë autoritete.”
Politikat e rritjes ekonomike të gjelbër kundrejt stimulit të qeverisë
Ndërsa BE-ja kërkon zbatimin e të ashtuquajturës Marrëveshje të Gjelbër – me të cilën dëshiron të bëhet “blloku i parë neutral ndaj klimës” në botë deri në vitin 2050 – Brzeski dhe Kooths dyshojnë se prioritizimi i ekologjisë do të ndihmojë ekonominë. “Në përgjithësi, dekarbonizimi nuk mund të jetë një histori rritjeje,” tha Kooths, sepse “politika e dekarbonizimit vuan nga shumë ndërhyrje”.
Dhe Brzeski shton se “teknologjitë e gjelbra deri më tani kanë zhbllokuar shumë pak investime.” Në vend të kësaj, ai i kërkon qeverisë të trajtojë konkurrencën në rënie të kompanive gjermane, një proces që po vazhdon për një dekadë, tha ai.
Kooths gjithashtu mendon se përmirësimi i konkurrencës së industrisë gjermane është çelësi për kthimin në një rrugë të rritjes, por paralajmëroi se rritja nuk mund të “stimulohet; ajo duhet të mundësohet”.
Eksperti i sheh me sy kritik programet stimuluese të qeverisë, duke thënë se nisma aktuale e rritjes gjermane është një “hap në drejtimin e duhur”, por nuk do të sjellë një kthesë. Që kjo të ndodhë do të duhet “një zhvendosje thelbësore nga politika industriale ndërhyrëse drejt një politike të bazuar në treg që forcon mjedisin e biznesit,” tha ai.
Kooths gjithashtu përjashtoi kategorikisht se qeveria gjermane duhet të ndërhyjë për të parandaluar një shitje të mundshme të kompanive gjermane. Në vend të kësaj, ai vuri në dukje ligjet e tregjeve të lira, ku kompanitë janë të detyruara të bëhen objektiva të blerjes “kur strukturat e tyre nuk mund të përballojnë më konkurrencën”./ DW