Pas dorëheqjes së dy drejtorëve të lartë, Alket Hysenit dhe Arben Seferit, reagon kryeministri Edi Rama.
Nëpërmjet një shkrimi të publikuar në Facebook, Rama i falenderon ata për vendimin e marrë.
“Flm 2 drejtuesve që u dorëhoqën për t’u hequr çdo alibi kundërshtarëve të Reformës në Drejtësi!Reforma nuk ndalet Vetingu nuk shmanget”, shkruan Rama.
Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, Alket Hyseni, dha dorëheqjen nga ky post. Në një letër drejtuar kryeministrit Rama, ai shprehet se emri i tij është lakuar së shumti gjatë javëve të fundit, “nga ata që nuk kanë interes që reforma në drejtësi të gjejë një zbatim të shpejtë dhe efikas”.
“Duke qenë i ndërgjegjshëm që reforma në drejtësi është një proces i pathyeshëm, e duke qenë i bindur se është në interesin e të gjithë shoqërisë shqiptare që ky process të zhvillohet sa më shpejt, ndiej se largimi im nga funksioni që kryej do të shërbejë për të eleminuar çdo alibi të të gjithë atyre që frikësohen nga reforma dhe pikësëpari nga Vetting-u”, vijon më tej ai duke falënderuar ata që e kanë mbështetur.
Pak orë pas Hysenit, dha dorëheqjen edhe drejtori i Sigurimit të Informacionit të klasifikuar, Arben Seferi. Në Formularin e dorëheqjes ai tregon se është etiketuar për anësi politike, prandaj është shtyrë të marrë këtë vendim.