Ditët e fundit banorët e Astirit përveç faktit që do t’iu prishen banesat janë përballur dhe me një terror psikologjik dhe fizik nga ana e Policisë së Shtetit.
Gjatë ditës së djeshme janë kryer disa arrestime dhe shoqërime të dhunshme, ndërsa banorët shprehen të vendosur që do të dalin sërish sot në protestë.
Biznesmeni Nikollaq Neranxi ka qenë ai që ka publikuar së fundi një histori dhune ndaj një adoleshenti, banor i Unazës së Madhe. Neranxi tregon se tre ditë më parë në zonën e Astirit ka parë dy policë të veshur me skafandra që dhunonin një adoleshent, duke i gjuajtur edhe në kokë.
‘’Para tre ditësh, teksa po kthehesha nga puna, diku rreth orës 8 të darkës, në zonën e Astirit ku rruga ishte errësirë totale dhe nga ana tjetër protestohej, para makinës time kalojnë dy efektivë policie me skafandra të cilët po merrnin zvarrë një djalë adoleshent dhe po e gjuanin në kokë. U shtanga, ai ishte sa djali im, me shumë gjasa kishte dalë në protestë sepse i kanë thënë që do ta nxjerrin në rrugë, pasi shteti nuk ia legalizoi pronën”, tregon Neranxi.
Neranxi shkruan më tej ai nuk do të ecë në një rrugë të ndërtuar mbi lotët dhe mundin e këtyre fëmijëve.
”Të gjithë e duam infrastrukturën e zhvilluar, por jo në kurriz të jetës së atyre fëmijëve që protestojnë për ditë. Nuk dua unë të ec në një rrugë të bukur, për ndërtimin e së cilës u shkatërrua jeta e shumë njerëzve. Sepse shtëpia është jeta!”, shkruan ai më tej.
Reagimi i plotë i Neranxit:
Për policinë që zbaton urdhrat qeveritare dhe jo ligjet dhe për të drejtën e banesës në çdo rrethanë!
Para tre ditësh, teksa po kthehesha nga puna, diku rreth orës 8 të darkës, në zonën e Astirit ku rruga ishte errësirë totale dhe nga ana tjetër protestohej, para makinës time kalojnë dy efektivë policie me skafandra të cilët po merrnin zvarrë një djalë adoleshent dhe po e gjuanin në kokë. U shtanga, ai ishte sa djali im, me shumë gjasa kishte dalë në protestë sepse i kanë thënë që do ta nxjerrin në rrugë, pasi shteti nuk ia legalizoi pronën. Pra ai djalë që sapo ka nisur jetën, duhet të paguajë për një veprim që ka bërë i jati, kur ai me shumë gjasë as nuk kishte lindur akoma, që gjithsesi ky baba nuk kishte bërë ndonjë krim, sepse po flasim për shtëpi të ndërtuara kryesisht në vitin 1998, me një Shqipëri të sapo dalë nga tmerri i firmave piramidale dhe me një shtet gati inekzistent. Pra ky djalë i ri, duhet të paguajë për të gjitha këto!!!
Në fakt doja që këtë skenë dhune nga ana e policisë, ta bëja menjëherë publike, por mendova se do dukesha i pabesueshëm meqë nuk arrita të merrja një video. Por kur pashë dje se si në mes të ditës, policët bënë të njëjtin veprim, duke marrë zvarrë dhe duke goditur një adoleshent, aty mendova që kjo polici e cila mbahet me taksat tona, as do t’ja dijë për respektimin e ligjeve, por vijon të bëjë veprime antiligjore, nën urdhrat e pushtetit. Pra policia është qeveria dhe kjo qeveri e merr zvarrë këtë popull, sapo ai ngrihet të kërkojë të drejtat e tij. Ai e tall, e përdor për shoë kur do të ndajë ndonjë çertifikatë legalizimi dhe kur i intereson, i thotë ik që aty se ti je zaptues!
Në një vend ku ka institucion legalizimi kjo nuk është e drejtë, por kjo nuk është as njerëzore, nuk është demokratike, nuk respekton as të drejtat e njeriut. Atij që i merr banesë, duhet t’i japësh banesë!
Të gjithë e duam infrastrukturën e zhvilluar, por jo në kurriz të jetës së atyre fëmijëve që protestojnë për ditë. Nuk dua unë të ec në një rrugë të bukur, për ndërtimin e së cilës u shkatërrua jeta e shumë njerëzve. Sepse shtëpia është jeta!
Dhe sa për propagandën për të cilën kjo qeveri ka talent të spikatur, teksa thonë që po ju dhamë shtëpi banorëve të Astirit, do bëjmë më pak shkolla dhe kopshte, unë mendoj se nuk ka nevojë fare të kufizohen me këto investime, mjafton që të vjedhin më pak dhe të gjitha bëhen.
Unë jam në krah të banorëve të Astirit!
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post