Rreth dy javë më parë, flakët e zjarrit përfshinë njërin kat të maternitetit të Durrësit duke nxjerrë jashtë përdorimit pajisjet dhe detyruar evakuuimin e shtatzënave që u nisën drejt Tiranës për të lindur foshnjat e tyre.
Ditën e sotme, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako, ka inspektuar maternitetin për të parë nga afër situatën. Ai u shpreh se bëhej fjalë për një avari në sistemin elektrik, por që është zgjidhur duke kthyer situatën në normalitet.
“Kemi patur një situatë jo normale në maternitetin e Durrësit para 10 ditësh si pasojë e një avarie në sistemin elektrik, por për fat të mirë që të nesërmen u rikthyem në rifunksionim, në shërbim dhe tashmë mbas 10 ditësh i gjithë shërbimi është rikthyer në normalitet. Edhe sallat e operacionit së shpejti do të jenë në funksionim.
Kështu që, bëmë këtë vizitë inspektimi sot dhe, në radhë të parë falënderim për mjekët dhe infermierët dhe mamitë që atë natë reaguan me shumë shpejtësi dhe nuk patën asnjë problem qoftë për nënat qoftë për bebet që kishin lindur. Falënderim dhe për punën që kanë bërë këto ditë se kanë punuar në situatë të mbingarkuar, si pasojë edhe e riparimeve që duhet të kryenim dhe vazhdimit të shërbimit, dhe kthehemi brenda javës në normalitet, sepse ky maternitet përballon një volum shumë të madh gjatë vitit me rreth 2500 lindje në vit.”, u shpreh Beqaj.
Nga ana e tij, Dako u shpreh se institucioni që ai drejton është i gatshëm për të bashkëpunuar në çdo rast me Ministrinë e Shëndetësisë për zgjidhjen e çfarëdolloj avarie në mënyrë që qytetari të marr një shërbim sa më të mirë. (XH.A/SHUPLAKA)