Dy orë përpara nisjes së protestës së tetë kombëtare të opozitës, kreu i PD-së Lulzim Basha ka ftuar qytetarët që të dalin përpara kryeministrisë, për të treguar se ‘’ia kanë hequr vizën Edi Ramës”.
Kjo përgjigje e Bashës vjen pas deklaratës së Palmer, i cili paralajmëroi se në rast se do të ketë dhunë, kreu i PD-së dhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, duhet të përgjigjen, dhe hodhi aludime për heqjen e vizave për të hyrë në SHBA.
Reagimi i Bashës:
Protesta, përballja, bashkimi kundër padrejtësisë është e vetmja shpresë për shumicën e shqiptarëve që duan një vend normal, ku qeveria të punojë për ta e jo për krimin. Sonte në ora 19.00 të bashkohemi si asnjëherë me njëri-tjetrin në protestën kombëtare për t’i treguar kryeministrit ilegjitim të avdylajve, se populli ia ka hequr vizën!
Asnjë hap pas! #ShqipëriasiEuropa.
Siç është bërë e zakonshme përpara protestave kombëtare të opozitës, edhe përgjatë ditës së sotme ambasadat e SHBA-ve e BE-së dhe Gjermanisë kanë bërë thirrje për të shmangur elementet e dhunës.
Delegacioni i BE-së e vë theksin te e drejta e çdo qytetari për të protestuar, por pa shkaktuar dhunë dhe pa dëmtuar institucionet. Përfaqësuesit e BE bëjnë thirrje që palët të ulen urgjentisht në dialog.
Më herët një deklaratë të fortë për drejtuesit e opozitës bëri dhe zëvendësndihmës sekretarui amerikan i shtetit Palmer, i cili tha se në rast se do të ketë dhunë përgjegjësia do të bjerë direkt mbi Bashën dhe Kryemadhin. (lexo edhe ketu)
Kjo është protesta e tetë kombëtare e opozitës, që kërkon në mënyrë të palëkundur dorëheqjen e Edi Ramës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Protesta e sotme vjen katër ditë pas publikimit të audiopërgjimeve nga Bild, ku drejtuesit e PS-së në Shijak dhe Durrësit u evidentuan në komunikime të vazhdueshme me kreun e banës së Shijakut Astrit Avdylaj.
Discussion about this post