Një tjetër shpërthim i një bombule gazi ka lënë të plagosur rëndë një të moshuar në qytetin e Durrësit.
E moshuara ka marrë plagë të shumta në fytyrë dhe në këmbë, ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në lagjen 14 të qytetit bregdetar.
Policia njofton se e plagosur ka mbetur 83-vjecarja me inicialet S.S, e cila dyshohet se ka qenë e vetme në banesë në momentin kur ka ndodhur shpërthimi.
Njoftimi i policisë:
Më datë 20.01.2020, rreth orës 12:20, në lagjen nr.14, Durrës, në një banesë ka shpërthyer një bombol gazi dhe për pasojë është dëmtuar shtetasja S.S, 83 vjeçe, e cila është dërguar në spital për ndihmë mjeksore.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes
Kjo është rasti i dytë brenda ditës së sotme që ka shpërthime të bombulave të gazit, pasi një ngjarje e rëndë u shënua paraditen e sotme në qytetin e Lushnjes.(Lexo edhe ketu)
Pak ditë më parë në kryeqytet tre gra mbetën të plagosura nga shpërthimi i një bombule gazi në një bulmetore, ndërkohë që ekspertët kërkojnë që të ketë një inspektim të të gjithë bomulave që janë në qarkullim.
Më e rrezikshme paraqitet situata në lokalet ku ngrohja kryhet me gaz, në një kohë kur numri i njerëzve që janë të pranishëm në një hapësirë është shumë i madh.
Shumë qytetarë zgjedhin që të gatuajnë ose të ngrohen me gaz, për shkak të çmimit më të ulët të tij, në krahasim me energjinë elektrike, edhe pse mbajnë mbi supe rrezikun e ngjarjeve të tilla me pasoja për jetën.
(E.K/Faxweb.al)