Policia e Tiranës njofton zyrtarisht se numri i nxënësve që janë duke marrë trajtim në spital pas zjarrit të rënë në një shkollë jopublike në zonën e Don Boskos ka shkuar në 6.
Burime bëjnë me dije për Faxweb.al se shkolla ku ka rënë zjarri është ”Albanian Qatar College”, edhe pse në hyrje të saj nuk ka asnjë tabelë që të bëjë të ditur emërtesën. Burime nga pediatrija e QSUT-së bëjnë me dije se 2 prej nxënëseve të shtruara janë në gjendje më të rëndë dhe janë duke marrë oksigjen.
“Në lidhje me parapraken e dhënë në lidhje me rrjedhjen e gazit në ambientet e jashtme të shkollës Jo-Publike, në rrugën “Don Bosko”, ju informojmë se në spital kanë shkuar për ndihmë mjekësore edhe 2 nxenës të tjerë. Gjithsej 6 nxënës të dërguar në spital, të gjithë jashtë rrezikut për jetën”, njofton Policia e Tiranës.
Nxënësit shprehen se e kanë ndjerë erën e keqe të gazit që në orën e parë të mësimit, dhe kanë qendruar aty për 3 orë, derisa disa prej tyre nisën që të villnin. Ata shprehen se gazi ka rrjedhur nga kaldaja që përdorej për ngrohjen e klasave, dhe shtojnë se në shkollë janë nxënës të të gjitha moshave, përfshirë ato të kopshtit.
“Kaldajave u plasi gazi, unë jam në mimimaturë, jemi të gjithë aty, gjimnazi, parashkollor. Filluam që të ndjenim erën e keqe që në orën e parë të mësimit, më pas qendruam dhe tre orë të tjera me dritare hapur, aq sa disa prej shokëve dhe shoqeve nisën të villnin”, thuhet në dëshminë ekskluzive që ka siguruar Fax News nga një prej nxënëseve të mitura.
Në oborrin e urgjencës së pediatrisë kanë mbërritur tashmë dhe familjarë të nxënësve që kanë pësuar helmim, të cilëve po iu merret dëshmia dhe nga punonjës të Policisë.
(E.K/Faxweb.al)