Një konflikt i dy vëllezërve me një tjetër qytetar ka përfunduar në plagosjen e këtij të fundit. Ngjarja ka ndodhur në orën 13:45 të ditës së sotme në lagjen “Partizani” të qytetit të Vlorës, në afërsi të spitalit.
Si pasojë e konfliktit mes tyre, shtetasi Armando Rrapaj 32 vjeç, mbeti i plagosur rëndë. Ai u dërgua menjëherë në spital, por nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të marra nga mjeti prerës.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka vënë në pranga njërin prej dy vëllezërve, të identifikuar si Klevis Merkaj dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin me iniciale Novruz Merkaj. Ka nisur hetimi për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Detaje të Policisë së Vlorës:
Rreth orës 13:45, ka ndodhur një konflikt midis 3 personave për motive të dobëta, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë!
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku ka konstatuar se në lagjen “Partizani” pranë rrugës së spitalit, për motive të dobëta është plagosur me mjet prerës shtetasi A.Rr., 32 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në kirurgjinë e Spitalit Rajonal Vlorë nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka bërë të mundur identifikimin e dy personave të tjerë të përfshirë në konflikt, dy vëllezërit K.M dhe N. M, ku njëri është arrestuar ndërsa tjetri në kërkim.
Shtetasi K.M., është arrestuar në flagrancë nga policia, ndërsa shtetasi N.M, ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes, por po punohet për kapjen dhe arrestimin e tij. Grupi hetimor po kryen veprimet hetimore në lidhje me sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
(XH.A/SHUPLAKA)