Policia e Durrësit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Brothers”, duke vënë në pranga njërin prej dy vëllezërve të shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje.
Arrestimi i 22-vjeçarit D.M. u krye nga Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet Operacionale të DVP Durrës. Ai ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila më 16 tetor 2023 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”. Sipas hetimeve, më 13 gusht 2023, D.M., në bashkëpunim me vëllain e tij M.M., kanë sulmuar me sende të forta shtetasin Sh. Ç., duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Operacioni “Brothers” është zhvilluar në kuadër të planit të masave për kontrollin e territorit dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.
Vijon kërkimi për vëllain tjetër, M.M., i cili ndodhet ende në arrati. Policia ka intensifikuar kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme ligjore.