Prokurorët e përgjithshëm të 22 shteteve amerikane ngritën padi të martën për të bllokuar masën e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund një praktike imigracioni në Shtetet e Bashkuar të njohur si e drejta e shtetësisë përmes lindjes, e cila garanton që fëmijët e lindur në SHBA janë shtetas pavarësisht nga statusi i prindërve të tyre.
Urdhri ekzekutiv i zotit Trump i nënshkruar të hënën synon përmbushjen e një premtimi të fushatës presidenciale, por suksesi i tij është i pasigurt, në kushtet kur e drejta e shtetësisë në bazë të lindjes është e parashikuar në kushtetutën amerikane.
Prokurorët e përgjithshëm të shteteve me shumive demokrate dhe avokatët e të drejtave të emigrantëve thonë se çështja e shtetësisë përmes lindjes është e garantuar me ligj dhe megjithëse presidentët kanë autoritet të gjerë, ata nuk janë monarkë.
“Presidenti nuk mundet të shfuqizojë Amendamentin e 14-të me një të rënë të lapsit, pikë!”, tha Prokurori i Përgjithshëm i Nju Xhersit, Matt Platkin.
Shtëpia e Bardhë tha se është gati të përballet me shtetet në gjykatë dhe i quajti paditë “asgjë më shumë se pjesë e rezistencës së së majtës”.
“Të majtët radikalë ose mund të zgjedhin të refuzojnë vullnetin dërrmues të popullit, ose mund të bashkohen me ne dhe të punojnë me Presidentin Trump”, tha zëvendëssekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Harrison Fields.
Prokurori i Përgjithshëm i Konektikatit, William Tong, një shtetas amerikan i natyralizuar dhe prokurori i parë kinezo-amerikan i një shteti amerikan i zgjedhur në vend, tha se padia ishte personale për të.