Policia e Krujës ka reaguar më në fund lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në ambientet e një lokali, ku persona të armatosur kanë dhunuar një të ri, i cili përfundoi në spital. Edhe pse në ditën kur ndodhi ngjarja nuk pati asnjë reagim, Policia thotë se ka shoqëruar disa persona të dyshuar, duke iu referuar pamjeve filmike, të cilat dolën sot dhe në media. (Lexo edhe ketu lajmin)
Mbetet e paqartë se pse Policia që njofton edhe për grabitje ordinere, apo vjedhës biçikletash, e ka fshehur dy ditë këtë ngjarje, dhe reagon vetëm pas nxjerrjes së pamjeve nga mediat. Në video shihet dhe një makinë Policie që kalon jashtë lokalit në momentin kur ndodh kjo skenë kriminale, por nuk ka bërë asnjë ndërhyrje.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me disa pamje filmike të publikuara në media, ku shfaqen disa persona duke dhunuar një shtetas në një lokal, ju sqarojmë se:
Më datë 17.02.2021, në orën 19:40, në ambientin e një lokali në Fushë Krujë, kanë hyrë disa persona ende të paidentifikuar (dyshohet të armatosur), të cilët kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar lëndime në kokë shtetasit E. E., 30 vjeç, banues në Fushë Krujë, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar në banesën e tij.
Menjëherë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. E. është ngritur një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë dhe specialistë për Hetimin e Krimeve në DVP Durrës, të cilët kanë bërë shoqërimin e disa shtetasve të dyshuar dhe në cilësinë e provës materiale janë administruar disa pamje filmike.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë vijojnë punën intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
(E.K/Faxweb.al)