Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur ‘arrest me burg’ për Hektor Xheçukën, personi i cili u hetua për vrasjen e Emiljano Boçit në 14 janar 2018.
Xheçuka u arrestua tre ditë më parë në Tiranë. Burime nga grupi hetimor thanë se Xheçuka po hetohej prej rreth 6 muajsh, pasi kishte dyshime të arsyeshme se ai mund të ishte një vrasës me pagesë, jo vetëm në lidhje me atentatin ndaj Boçit, por edhe për disa ngjarje të tjera në Tiranë e Elbasan.
I dyshuari ka refuzuar të japë shpjegime në Polici, duke mohuar përfshirjen e tij në atentatin ndaj Emiljano Boçit, ndërsa ka kërkuar një avokat.
NGJARJA:
Atentati, ku mbeti i vrarë Emiljano Boçi dhe u plagos shoku i tij Melvi Disha, pranë Policisë Bashkiake në Tiranë, dyshohet të jetë realizuar nga një vrasës me pagesë”, kështu shpreheshin burimet policore një ditë pas ngjarjes.
Grupi hetimor, që edhe sot duket se i qëndron këtij versioni, arriti në këtë përfundim pas analizimit të provave, dëshmive dhe rindërtimit të skemës së krimit. Emiljano Boçi, 32-vjeçar, u ekzekutua gjatë një atentati që ndodhi mbrëmjen e datës 14 janar 2018, në Tiranë, ku mbeti i plagosur edhe miku i tij 26 vjeç. Boçi, i cili ishte kthyer nga Gjermania prej rreth 3 javësh, ndërroi jetë sapo mbërriti në spital, ndërsa i plagosuri Melvi Disha, i cili jeton atje, ishte kthyer para 3 ditësh për pushime.
Ata janë qëlluar sapo kanë hipur në makinën tip “Range Rover”, me targa gjermane, ngjyrë e bardhë, nga një person që, sipas Policisë, tashmë është identifikuar dhe arrestuar. Burime nga Policia thanë në atë kohë se në drejtim të makinës është qëlluar të paktën 5 herë me armë zjarri me silenciator. Boçi ka mbetur i plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë teksa transportohej drejt Spitalit të Traumës. Në sediljen e parë të makinës ndodhej edhe e dashura e viktimës, por fatmirësisht ajo i ka shpëtuar plumbave. Vajza që i shpëtoi atentatit ka lajmëruar Policinë.
(E.K/FAXWEB.AL)