Policia e Elbasanit ka arrestuar ditën e sotme një 39-vjeçare të dyshuar si shkaktaren e një aksidenti të ndodhur ditën e djeshme në aksin Belsh-Kuçovë, ku ndërroi jetë një 59-vjeçar.
I ndjeri sëbashku me një shtetase tjetër të moshës 42-vjeçe po udhëtonin me një motor në kohën që u përplasën me mjetin e drejtuar prej gruas së arrestuar. Përplasja rezultoi fatale për 59-vjeçarin, ndërkohë që bashkëudhëtarja me të gjendet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i policisë Elbasan:
Në përfundim të veprimeve hetimore për aksidentin e ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor Belsh-Kuçovë, nê fshatin Dëshiran, si pasojë e të cilit ndërroi jetë drejtuesi i motoçikletës, shtetasi S. B., 59 vjeç, banues në fshatin Dëshiran dhe u dëmtua shtetasja Z. Z., 42 vjeçe që udhëtonte në motoçikletë me këtë shtetas, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën, specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan kanë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave tê qarkullimit”, shtetasen A. Gj., 39 vjeçe, banuese në Elbasan.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.(F.M.Faxweb.al)