Komiteti për të Liritë Qytetare, Drejtësi, dhe Çështje të Brendshme – LIBE, në Parlamentin Evropian, ka votuar pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Me 30 vota pro, 10 kundër dhe 2 abstenime, ky komitet i PE-së ka kaluar çështjen e liberalizimit për kosovarët tek Parlamenti Evropian dhe Këshilli për Marrëveshje nder-institucionale për Liberalizim.
Para se të votohej, raportuesja Tanja Fajon e ka shfrytëzuar të drejtën për të folur, duke kërkuar votë pozitive, pasi sipas saj, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.
Vetëm një javë pas votimit nga ky Komitet, pritet që vendimi për liberalizimin e vizave për kosovarët të votohet përsëri nga Këshilli i Bashkimit Evropian, por tani në nivel të Ministrave të Brendshëm, që është edhe votimi përfundimtar.
Nëse nga këtu, ky proces merr dritën jeshile, gjatë periudhës nëntor – dhjetor, gjithçka mbetet është ceremonia e nënshkrimit dhe publikimi i vendimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrja në fuqi e lirisë së lëvizjes.
(E.K/FAXWEB.AL)