Protesta e studentëve duket se është shtrirë edhe në Elbasan. Studentët kanë braktisur mësimin edhe kanë paralajmëruar protestë në orën 11:00.
Ndërkohë Tirana është ndezur nga mijëra studentë që kanë bojkotuar mësimin dhe kanë rrethuar Ministrinë e Arsimit. Ata kanë deklaruar se pas kërkesës së përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit kanë renditur dhe tre kërkesat e tyre me shkrim për këtë institucion, ku kërkojnë anulimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për miratimin e kufirit maksimal të tarifës vjetore, përgjysmim të tarifave të shkollës si dhe përmirësimin e kushteve në konvikte.
Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës janë sot në ditën e dytë të protestës. Ato kanë bojkotuar sërish mësimin pasi janë kundër tarifës për provimet që jepen me kredite.
Ndërkohë në një komunikim me ‘Fax News’ ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka deklaruar se do të takojë një përfaqësi me studentët. E pyetur nëse studentët kanë pranuar të takohen, Nikolla e pohoi diçka të tillë.
Nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre ata kanë bërë thirrje për revulucion studentor “Revolucion studentor. Revolucion studentor, revolucion studentor, ne nuk jemi bankomat, nuk tërhiqemi’. ” Jo negociata me ministren arrogante dhe injorante”, janë dëgjuar të thërrasin studentët.
“Dilni jashtë” “Duam ministren”, ”Anulo vendimin”, “Mbani përgjegjësi”, janë disa nga thirrjet e studentëve drejtuar Ministrisë së Arsimit.
Ata kërkojne gjithashtu që pagesa e tarifës së shkollës të kryet në muajin janar, ashtu si për çdo vit tjetër dhe jo në muajin dhjetor.
Studentët të cilët janë vetëorganizuar, kanë bojkotuar mësimin pasi kërkojnë plotësimin e tre pikave:
1. Heqjen e pagesës për kredite të provimeve të mbartura
2.Shtyrjen e afatit të pagesës vjetore
3.Bërjen e pagesës me këste
“Lëvizja Për Universitetin dhe aktivistë të saj i janë bashkuar dhe solidarizohen me kërkesat e tyre, pasi universiteti duhet të jetë në bazë të meritës dhe jo parave. Universiteti banohet nga studentët, prandaj studentët duhet të vendosin!“- shkruhet në njoftimin e Lëvizjes për Universitetin.
(B.H/Faxweb)