Një 32-vjeçar nga fshati Varibobë i Bashkisë Fier ka alarmuar mesditën e sotme policinë lokale pasi ka hipur në një shtyllë të tensionit të lartë në anë të superstadës Levan-Tepelene. Prej orës 12:00 ai ka qëndruar në shtyllë dhe nuk pranonte të zbriste.
Sipas burimeve të bluve, dyshohet se shtetasi Arjan Lamçaj vuan nga sëmundja e epilepsisë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë të cilat negociuan me 32-vjeçarin, për ta bindur që të zbresë.
Gjithashtu në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të zjarrëfikëseve dhe një autombulancë. Menjëherë pas marejes së njoftimit për ngjarjen, OST ka ndërprerë energjinë elektrike në rrjetin që përfshihej kjo shtyllë.
Për 6 orë me rradhë ka qenë e pamundur që ai të zbriste dhe ka shfaqur dy kërkesa: që t’i sillnin një palë atlete dhe automjetin e kreut të Bashkisë Fier, Armando Subashi.
Pasi këto kërkesa i janë plotësuar, rreth orës 18:30, 32-vjeçari Lamçaj ka pranuar të zbresë pa iu shkaktuar ndonjë dëm fizik. Ai është transportuar me automjetin e kryetarit të Bashkise, për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe pritet që më pas të shoqërohet për në banesën e tij.
(E.L/Faxweb)
Discussion about this post