Pas ngjarjes makabre në fshatin Resulaj të Selenicës, ku 24 vjeçari Ritvan Zykaj vrau pa mëshirë 8 të afër të tij, ka reaguar edhe Bashkia e Selenicës. Përmes një postimi zyrtar në facebook, kjo bashki bën me dije, që e hëna është shpallur ditë zie, në ndërim të 8 personave që humbën jetën. Ndërkaq bashkia thekson se për të tilla ngjarje, të gjithë duhet të ndihen përgjegjës, që nga institucionet deri te bashkia.
“Secili prej nesh duhet të ndihet përgjegjës për këtë ngjarje të këtyre përmasave, që nga familja, komuniteti, fshati, Bashkia, policia e shtetit, institucionet arsimore dhe organet ligjzbatuese!”, shkruhet në faqen zyrtare të Bashkisë.
Bashkia Selenice Faqja Zyrtare
Bashkia Selenicë në ditë zie! Ngjarja tragjike e tre ditëve më parë, ku humbën jetën tetë persona të një familje tronditi mbarë opinionin shoqëror. Jo vetëm të bashkisë Selenicë,por të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit. Kjo dhimbje e madhe detyroi kryetarin e Bashkisë dhe këshillin bashkiak për të shpallur ditën e hënë datë 13.08.2018 ditë zie për Bashkinë Selenicë. Secili prej nesh duhet të ndihet përgjegjës për këtë ngjarje të këtyre përmasave, që nga familja, komuniteti, fshati, Bashkia, policia e shtetit, institucionet arsimore dhe organet ligjzbatuese!
Ne, komuniteti i bashkisë Selenicë ndajmë dhimbjen me familjarët dhe njerëzit e afërt të të ndjerëve. Kurajo dhe forcë pjestarëve të familjes që pësuan tragjedinë. Le të prehen në paqe shpirtrat e pafajshëm të cilëve jetën ua preu në mënyrë mizore dora e një vrasësi, mbi të cilin drejtësia duhet të veprojë pa mëshirë. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë banorëve të Bashkisë, institucioneve, bisneseve që operojnë në territorin e kësaj bashkie, të respektojnë në mënyrën më korrekte këtë ditë zie.
(J.D/Faxweb.al)