Ish-kryeministri Sali Berisha feston sot ditëlindjen e tij të 75-të. Berisha u lind në 17 Tetor 1944 në Viçidol të Tropojës dhe prej mëse 30 vitesh në sistemin poskomunist ka mbajtur detyra nga më të rëndësishmet si president, kryeministër dhe lider i opozitës.
Berisha ishte mjek kardiolog, profesor universiteti dhe kërkues shkencor, kur hyri në politikë si udhëheqës i opozitës anti-komuniste që filloi në vitet ‘90.
Në vitin 1967 ai përfundoi me rezultate të shkëlqyera Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Më vonë ai u specializua në degën kardiologji dhe më pas u emërua si asistent / profesor mjekësie në të njëjtin universitet dhe mjek kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Tiranës.
Karriera politike e Berishës:
President (1992-1997)
Pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, Berisha u zgjodh President i Republikës më 9 prill 1992. Gjatë mandatit si President i Republikës së Shqipërisë, Shqipëria u hap ndaj perëndimit; ajo u bë anëtare e Këshillit të Evropës në vitin 1995; nënshkroi Marrëshveshjen për Paqe dhe Partneritet në vitin 1993 dhe vendosi bashkëpunim të ngushtë me vendet e BE-së dhe ShBA-në. Të gjitha ligjet e diktaturës komuniste u zëvendësuan me ligje të reja të standardeve evropiane dhe u krijuan institucione të reja si Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që nuk ekzistonin më parë.
Rënia e skemave piramidale në fund të viti 1996, në të cilat shqiptarët humbën miliona dollarë, çoi në demonstrata në të cilat njerëzit akuzonin qeverinë për vjedhjen e parave. Trazirat e krijuara si rezultat i kësaj në fillim të vitit 1997 e detyruan Berishën të dekretonte zgjedhjet e parakohshme në qershor 1997. Këto zgjedhje u fituan nga opozita dhe pas kësaj Berisha dha dorëheqjen si President.
Kryetar i opozitës (1997-2005)
Më pas Berisha ri-zgjidhet Kryetar i Partisë Demokratike dhe këtë pozicion e mban nga viti 1997 deri, i rizgjedhur në prill 2005 deri në 26 qershor 2013.
Në vitin pasues Berisha e fut Partinë Demokratike në koalicion me partitë e qendrës së djathtë dhe në zgjedhjet e përgjithshme politike të mbajtura në pesë raunde në periudhën qershor-gusht 2001 zgjidhet drejtues i koalicionit. Megjithëse misioni vëzhgues ndërkombëtar OSBE / ODIHR i quajti këto zgjedhje të manipuluara, koalicioni fitoi 37 % të votave.
Kryeministër (2005-2013)
Me 3 korrik 2005, koalicioni prej pesë partive të qendrës së djathtë i drejtuar nga Sali Berisha ja arrinë që të fitojë një mazhorancë prej 74 deputetësh nga 140 gjithsej në Kuvend[7] dhe më 8 shtator 2005 me shumicë prej 81 votash të deputetëve zgjidhet Kryeministër i Shqipërisë. Më 4 prill 2009 Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në NATO. Kjo u arrit falë reformave të kryera të qeverisë Berisha. Sipas revistës së mirënjohur amerikane Forbes Shqipëria ishte pothuajse i vetmi vend në Europë qe kishte rritje ekonomike dhe e konsideron Berishën si arkitektin e suksesit ekonomik të Shqipërisë.
Sali Berisha është i martuar me Liri Berisha, e cila është pediatre dhe kanë dy fëmijë, një vajzë, Argitën, dhe një djalë, Shkëlzenin. Berisha zotëron gjuhën angleze, frënge, italiane,ruse dhe gjermane.
(E.K/Faxweb.al)