Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka komentuar fjalimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha në zonën e Astirit. Balla përmes një postimi në Facebook, shkruan se Basha bën mirë të heshtë, sepse sipas tij projekti mban firmën e kryedemokratit Lulzim Basha si kryebashkiak dhe si ministër.
“Lulezim! Artist je për të heshtur kur e ke mizën nën kësulë. Unaza e Tiranës do të bëhet sipas projektit të ri dhe në gjurmën ku ti ke firmën tënde, qoftë si Ministër,qoftë si K/Bashkie.
Mos harro o profesor i rrenave të përjashtosh “profesor” Shoren nga PD!”, shkruan Taulant Balla.
Basha sot nga protesta e Astirit tha se ky projekt është i bazuar në një skemë korruptive të tenderit ku edhe nuk kurseu akuzat ndaj kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Arsyeja e këtij takimi ishte për të treguar disa të vërteta për shkeljet ligjore, pasi e ligjshme është vetëm protesta e tyre. Pas një hetimi disa ditor kanë dalë fakte tronditëse, pasi projekti është i pa kërkuar, firma e ka paraqitur jashtë normave, pasi ky projekt është për autostradë dhe jo për këtë rrugë. E dyta është skema korruptive e tenderit. E treta është paligjshmëria e këtij investimi, pasi duhet miratuar nga pushteti vendor. Institucioni që duhet të dilte përpara këtyre banorëve, bashkia ka në krye një shpifësirë që e ka shpirtin më të zi se plehrat e sharrës”, u shpreh ai.
(J.D/Faxweb.al)
Discussion about this post