Kryetari i PD, Sali Berisha i është përgjigjur një deklarate të sotme të kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit tha se mund të kalojë oqeanin sa herë të dojë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Berisha i quajti këto deklarata të pavlera dhe akuzoi kryeministrin se i shmanget llogaridhënies publike.
Në reagimin e tij, Berisha u ndal te ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke thënë se “sot është non-grata në vendin e tij” dhe shpresoi që “të paraqitet para drejtësisë amerikane”.
Ai shtoi se vizita e fundit e Blinken në Tiranë, sipas tij, ka pasur si qëllim mbulimin e skandalit McGonigal, duke e cilësuar atë një çështje që “nuk do të mbyllet kurrë”.
“Kazani po zien dhe kjo është përgjigjja ime për sa tha Rama,” përfundoi Berisha.
“Të më bësh mua të komentoj deklaratat e një njeriu që ka frikë dhe tmerr nga gazetari, nuk e di sa është etike t’i përgjigjem atij. Unë dhe ai dhe cdo politikan kemi detyrimin elementar ndaj qytetarëve të paraqitemi para gazetarëve. Dje, pardje, lexova një artikull. Presidenti Donald Trump ishte paraqitur para gazetarëve, nga 20 janari deri tani 20 herë më shumë se paraardhësi i tij në 4 vite. E kuptoni ju se me këtë qëndrim anti-transparencë dhe anti-media, nuk ja vlen ta konsiderosh për asgjë atë.
Sa i përket asaj që tha ai, mund të them dy fjalë. Antony Blinken sot është non-grata në vendin e tij dhe uroj që të paraqitet para drejtësisë amerikane. I them gjithashtu se nëse Blinkeni bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo jo, për t’i mbuluar skandalin McGonigal Ramës, kazani po zien. Ai skandal nuk mbyllet kurrë. Kjo është përgjigja ime për sa tha”, tha Berisha.