Familjarë dhe miq bëhen bashkë për të nderuar penën e artë të reportazheve. 5 muaj nga ndarja nga jeta e publicistit dhe gazetarit të mirënjohur Fatos Baxhaku, me iniciativë të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit i akordoi titullin e lartë “Qytetar Nderi” pas vdekjes.
I njohur për penën brilante në reportazhe dhe kritik i tranzicionit shqiptar, gazetari Baxhaku u nderua për kontributin e dhënë në fushën e gazetarisë si model i njeriut fisnik dhe gazetarit të përkushtuar në të gjitha zhanret e gazetarisë.
Ceremonia nderuese u mbajt në Universitetin e Elbasanit, aty ky Fatos Baxhaku jepte mësim në degën e gazetarisë, ndonëse si i jashtëm. Të pranishëm në ceremoni vec drejtuesve lokalë, ishin familjarë të publicistit, të cilët ende nuk e kanë pranuar humbjen e tij, studentë, pedagog etj..
Për kreun e Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, Fatos Baxhaku do të mbetet gazetari i lajmeve të periferisë, me moral të lartë dhe plot virtyte.
Origjina e Fatos Baxhakut është Elbasani, ndaj vlerësimi nuk mund të mungonte nga ky qytet. Titulli iu dorëzua familjarëve nga kryetari i bashkisë Gledian Llatja.
Për vajzën e Fatosit, ende është e vështirë ta pranojë që babai i saj është larguar, pasi ajo çka ai ka lënë pas është një pasuri e paçmueshme. Me zërin që i dridhet dhe sytë që e tradhtojnë, Bora ndjehet falenderuese për nderimin e të atit.
“E kam ende shumë të vështirë të flas për babin, por dua të shpreh mirënjohejn për UGSH dhe Bashkinë e Elbasanit. Në emër të të gjithë familjes, shumë faleminderit”, tha ajo.
Për vëllain e Fatosit, Artur Baxhakun, pedagog në Fakultetin e Shencave të Natyrës, Fatosi ishte një njeri i rrallë, i cili çdo punë e bënte me përkushtim. Teksa ndan me ne kujtimet e të vëllait, shprehet i lumtur për rrugëtimin e jetës së tyre.
Fatos Baxhaku u shua në gusht të vitit 2019-të në moshën 55 vjecare , duke e humbur betejën me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej disa kohësh.