Në tryezën e përbashkët me gazetarët, të organizuar nga Partia Demokratike, Artur Çani u shpreh se njerëzit e medias, duhet të jenë më të bashkuar me njëri-tjetrin.
Çani tha se Rama është në fazën e tretë të qeverisjes së tij, por opozita dhe gazetarët duhet të jenë më solidarë me njëri tjetrin.
Gazetari mori si shembull emisionin e tij, mbi shkeljet e kryera nga anëtari i KLP-së Tartar Bazaj, që sipas tij nuk u cituan jo vetëm nga mediat e tjera, por as nga vetë opozita.
“Asnjë nga ne këtu nuk e kanë fuqinë që të ndryshojnë diçka Ramës, unë e kam njohur dhe privatisht, nuk e kam njohur pak, asnjë nga ne nuk mund të veprojë dot veçse me forcë për ti ndryshuar mendjen Ramës.
Unë them që problemin ta shtrojmë brenda nesh për zgjidhje, që Bota rrotullohej e tha Koperniku dhe Galileu, i pari u dogj në furrën e druve, i dyti shpëtoi pasi tha që ‘’e megjithatë Bota rrotullohet”, duhet të gjejmë gjuhën tjetër, ajo që vras mendjen më shumë se të tjerët është se pengohemi për të gjetur informacion në zyrat e shtetit.
E keqja është se reagimi pas kësaj është heshtja, shumë gjëra kanë mbetur në heshtja, nuk më pëlqen kur e lë në heshtje opozita. Ne këtu duhet të forcojmë aleancën me njëri-tjetrin. Kanë nxjerrë njëherë në një emision televiziv, videon e një pedagogu, që kërkonte marrëdhënie seksuale, ku në fakt ishte reciprocitet, e megjithatë kjo video u publikua kudo, dhe në darkë ne të gjithë duartokitëm me arrestimin e tij.
Unë kam denoncuar një person që është në pozicion kyç shtetëror, dhe ka kryer shkelje më të rënda, dhe nuk kam parë në asnjë vend që të flitet për këtë. Në shumë nga faqet tona nuk ishte ai fjalim brilant i Adi Krastës, pra në një sens, ne nuk e rregullojmë dot Ramën, duhet të bëhemi të fortë ne, Rama është në fazën e tretë, atë të mbarimit. Pushtetet kanë fazën e idealizmit, e shtyrjes përpara, dhe tani jemi në fazën e tretë atë të KÇK-së që e thotë dhe ai vetë”, u shpreh Çani.
(E.K/Faxweb.al)