Në protestën e banorëve të Sinecit, një grua ka hedhur akuza të forta në drejtim të punonjësve të policisë, për të cilët tha se i kapin zonjat nga shalët dhe bëjnë veprime të turpshme me to.
Banorja e zonës tha se ajo nuk ka asgjë për të humbur në protestë, pasi nëse u merret uji, atëherë u është marrë dhe e ardhmja e fëmijëve të tyre.
“U fsheh ai polici, e kapën zonjën dhe bënin suspacion me shalët e zonjave, i kapnin dhe i bënin kshu. Më merrni ja ku jam, më vrisni, se jam e vrarë dhe dua të ushqej fëmijët. Spo e shoh atë fytyrën tani, se u fsheh.
E shikon zërin tim, kam katër ditë që iu them policëve, mos i prekni zonjat, mos i shqyeni zonjat, por ata nuk merrnin vesh”, u shpreh gruaja në protestë.
Protesta e sotme e banorëve të fshatit Lumas,të cilët nuk janë ndalur dhe janë sot në ditën e tyre të 20-ë të protestës, ka degjeneruar në dhunë nga ana e policisë dhe përleshje fizike.
Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, policia, duke u kërkuar banorëve të lirojnë rrugën që kishin bllokuar, është përleshur fizikisht me banorët si dhe ka ushtruar dhunë mbi ta.
Sipas banorëve-disa prej protestuesve janë lënduar dhe disa të të tjerë janë shoqëruar forcërisht në Komisariatin e Policisë,ndërkohë që nga ana e policisë nuk ka asnjë komfirmim zyrtar nëse ka protestues të shoqëruar apo jo.
Banorët e fshatit Lumas protestojnë prej rreth 2-muajsh për burimin e ujit të Sinecit dhe prej disa javësh ata kanë bllokuar edhe rrugët e fshatit, për të penguar mjetet e firmës kontraktuese që të vijojnë punën për ndërtimin e ujësjellësit.
Banorët deklarojnë se ky burim që ua ka falur natyra është burim jetese për ta dhe nuk do të lejojnë askënd që t’ua cënojë apo marrë.
Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Fax News, disa gra janë rrëzuar përtokë dhe kanë probleme me shëndetin pas përplasjeve që kanë pasur. Banorët janë në proçes gjyqësor me bashkinë Kuçovë dhe kërkojnë që punimet të pezullohen deri në marrjen e një vendimi nga ana e gjykatës.
(E.K/Faxweb.al)