Një ditë pas përleshjeve midis Policisë së Kosovës dhe grupeve të serbëve lokalë, situata në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë.
Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që të hynin në ndërtesat komunale. Këto ndërtesa, paraprakisht ishin përdorur nga institucionet paralele serbe.
Faktori ndërkombëtar e cilësoi shkuarjen në komunat në veri të kryetarëve të rinj si “hyrje me forcë”, duke dënuar veprimet e Prishtinës.
Por, autoritetet kosovare fajësuan Serbinë dhe “strukturat ilegale dhe bandat kriminale” për situatën e krijuar, teksa thanë se Policia e Kosovës po realizonte detyrat e saj.
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan se veprime të tilla do të rezultojnë “me pasoja” në raportet dypalëshe me Kosovën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Kosovës përshkallëzuan “tensionet pa nevojë, duke i minuar përpjekjet për të ndihmuar në normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
“Ne i bëjmë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta ndryshojë kursin në të gjitha drejtimet dhe të përmbahet nga veprimet tjera që mund të rrisin tensionet dhe të promovojnë dhunë”, tha Blinken.
Veprimet e institucioneve të Kosovës i dënoi edhe Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Brukseli tha se nuk do të pranojë asnjë veprim “të mëtejshëm dhe të njëanshëm, e provokues”.
Teksa, Kurti vetëm pas gati 24-orësh pronuncohet për media rreth kësaj ngjarje.
Ai për RTV Duakgjinin, para një takimi me ambasadorët e akredituar në Kosovë dhe kryetarin e Pejës, ka folur për reagimet e ndërkombëtarëve.
Pavarësisht kritikave të shumta që mori, Kurti ka thënë se e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe “mirë po shkon puna”.
“E kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe mirë po shkon puna”, ka thënë Kurti.