Gjyqtari pranë gjykatës së Durrësit Petraq Curri, që në muajin korrik 2017 vendosi të lirojë nga qelia të kërkuarin e drejtësisë italiane Alket Hatia, ka vendosur të dorëhiqet nga çështja e shqyrtimit në themel të kësaj dosje.
Curri ka paraqitur kërkesën e tij të dorëheqjes pranë kryegjyqtares së Durrësit, ku siç mësohet ai refuzon të gjykojë dosjen e ekstradimit të Alket Hatias, të dënuar në Itali me 20 vite burgim për trafik heroine.
Sjellim në vëmendje që seanca e para ishte parashikuar që të zhvillohej më 5 tetor 2017, por gjyqtari i çështjes është tërhequr. Si argument për t’u tërhequr nga kjo çështje, Petraq Curri ka përdorur një inspektim që Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka nisur ndaj vendimit të lirimit të Hatisë, vendim i cili është marrë nga vetë gjyqtari Petraq Curri. Në kërkesën e tij të dorëheqjes Curri shton se nuk kërkon që kjo çështje të paragjykohet, dhe për pasojë, ka vendosur të dorëhiqet.
Hetimi:
Po kështu Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka nisur hetim disiplinor ndaj gjyqtarit Petraq Çurri, pas vendimit të tij të diskutueshëm të 11 korrikut për lirimin nga “masa e arrestit” të Alket Hatisë. Inspektoriati i KLD-së u vu në lëvizje nga një ankesë e ish-ministrit të Drejtësisë, Gazmend Bardhi pasi Gjykata e Durrësit e shpalli të paligjshëm arrestimin e Hatisë, ndonëse ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma për shkak të dënimit me 20 vjet burg nga Gjykata e Apelit të Milanos për veprën penale të “trafikut të narkotikëve”.
Pas kërkesës për informacion burime pranë Gjykatës së Rrethit Durrës konfirmuan se ” Më datë 25.09.2017 pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka ardhur për gjykim kërkesa penale me objekt: “Miratimin e ekstradimit të shtetasit shqiptar Alket Hatija mbi kërkesën per llogari të Drejtësisë Italjane në zbatim të vendimit nr.4526/2015 datë 30.09.2015 të Gjykatës së Apelit Milano Itali.” Bazuar në nenin 493/6 kërkesa i ka kaluar për gjykim Gjyqtarit Petraq Çuri.Në datën 26.09.2017 Gjyqtari Petraq Çuri ka paraqitur kërkesë për heqje dorë, e cila është pranuar me Vendimin Nr.74/1, datë 26.09.2017 të Kryetares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.Pas pranimit të dorëheqjes së Gjyqtarit Petraq Çuri, me shortin elektronik të datës 26.09.2017 çështja i ka kaluar për shqyrtim Gjyqtarit Paulin Çera. Seanca e rradhës është caktuar me datë 05.10.2017 ora 14:45″. (J.V/Shuplaka)