Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Kurbin, ku një person ka humbur jetën. Luigj Gjeloshi 54-vjeçar është mbytur në ujë teksa po tentonte të kalonte lumin, pranë fshatit Skuraj.
Faxëeb mëson detaje të reja nga kjo ngjarje e rëndë, teksa Gjeloshi kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer pranë familjes së tij pasi ka qenë në emigracion. Zona ku ka ndodhur ngjarja ka qenë pa ndriçim, dhe ka qenë një patrullë e policisë që i ka bërë me shenjë 54-vjeçarit për të ndaluar.
Duke qenë se e ka marrë me vonesë sinjalizimin, Gjeloshi ka kaluar urën me mjetin e tij dhe më pas është kthyer për të komunikuar me punonjësit e policisë në këmbë.
Në rrethana ende të paqarta ai ka rënë në ujë, ndërsa në makinë duke e pritur ishin bashkëshortja dhe vajza e tij e mitur, e cila mbrëmjen e djeshme kishte festuar dhe ditëlindjen.
Janë dashur disa orë për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit nga uji, pasi errësira e madhe ka vështirësuar punën e punonjësve të zjarrfikëses.
Njoftimi i policisë:
Në aksin rrugor Milot – Rrëshen, në vendin e quajtur ” Ura e Skurajve”, dyshohet të ketë rrëshqitur aksidentalisht duke rënë poshtë në lumin Mat, shtetasi L.Gj. 54 vjeç, banues në Shënkoll në Lezhë dhe për pasojë ka ndërruar jetë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Kurbin për veprime mëtejshme.