“Thatësira” e Messit (në “Villamarín”, ai luajti ndeshjen e tij të tretë pa shënuar gol: kundër Valencia, Levante dhe Betis) duket se po i kushton kapitenit të Barçës. Sipas renditjes së bërë nga faqja e specializuar e internetit “Transfermarkt”, Mohamed Salah e ka rrëzuar Messin nga froni, si sulmuesi i krahut të djathtë më i shtrenjtë në botë.
Në total, 150 milionë euro vlerësohet egjiptiani në krahasim me 140 milionë të argjentinasit.
Vlera e tregut e Messit ka rënë me 40 milionë në dy vitet e fundit: nga 180 milionë në 30 maj 2018 në 140 milionë në 20 dhjetor 2019. Sidoqoftë, ajo e Mohamed Salah mbetet në kuotat 150 milionë euro, që nga 28 maji 2018.
Sidoqoftë, shifrat e Messit, në moshën 32-vjeçare, edhe këtë sezon janë të mira. Ai ka luajtur 26 ndeshje dhe ka shënuar 19 gola e ka dhënë 15 asiste (në La Liga – 14 gola dhe 11 asiste). Anësori 27-vjeçar egjiptian ka luajtur gjithsej 33 ndeshje në këtë sezon, ka shënuar 18 gola dhe ka dhënë 9 asiste (në Premier League – 14 gola dhe 6 asiste).
Salah ka në favor të tij moshën dhe se është figurë e padiskutueshme në rekordet e Liverpool-it, që po marshon pa u ndalur drejt titullit në Premier League. Nga ana e tij, Messi fitoi gjatë vitit 2019 gjithçka të mundshme në planin individual: “Këpucën e Artë”, “The Best” dhe “Topin e Artë”.
Discussion about this post