Për të gjithë ata që nuk kanë arritur të ndjekin zhvillimet e para disa minutave, mund të thuhet pa frikë se një ”luftë” e re ka nisur mes Ambasadës Amerikane dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ambasadori Amerikan Donald Lu mendoi që sot të bënte deklaratën bombë: ”Prokurori i Përgjithshëm është kundër Reformës në Drejtësi. Për më shumë se 18 muaj ka folur kundër reformës”.
Nuk kaluan as disa minuta kur Prokuroria e Përgjithshme lajmëroi se një deklaratë do pasonte nga ky institucion në lidhje me deklaratën e ambasadorit. Por ashtu siç nuk pritej, deklarata e autorizuar nga Adriatik Llalla dhe lexuar nga drejtoresha e Kabinetit Fjorida Ballauri, nuk qe një deklaratë në mbrojtje.
Përveç frazave ”Lu nuk është zot në Prokurori” ”Na ka bërë shantazh” apo ”Prokurorët s’kanë nevojë për viza”, surpriza qe një letër që Llalla i kishte dërguar presidentit Bujar Nishani dhe kreut të Kuvendit Ilir Meta. Një letër me detaje të forta rreth paralajmërimeve të kryeprokurorit për ”shantazhet e vazhdueshme të Lu”-së ndaj tij dhe institucionit që drejton.
VIZA E ADRIATIK LLALLËS
”Ju informoj se Prokuroria e Përgjithshme e Republikes gjendet gjatë ditëve të fundit nën një presion të hapur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Nëpërmjet një lëvizje aspak diplomatike, Prokurorit të Përgjithshëm, i është anulluar viza diplomatike, si edhe disa prokurorëve të lartë ju janë anulluar gjithashtu vizat e dhëna nga kjo ambasadë konform rregullave të parashikuara nga ligjet e këtij shteti.”, informonte Llalla Nishanin dhe Metën.
Sipas kryeprokurorisë ambasadori Lu ka vijuar sjelljet shantazhuese ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Llalla vazhdon më tej:
”Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu. Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anulluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij. Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm.”
”BANKERS PETROLEUM”
Në ”fushë-betejë” del kompania ”Bankers Petroleum”, për të cilën prokuroria shqiptare ka nisur prej kohësh hetimet. Sipas Llallës ambasadori Lu, në më shumë se njëherë ka ushtruar presion për mos t’u vazhduar këto hetime.
”Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare. Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre. Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm.”
REFORMA NË DREJTËSI
Pasi ambasadori amerikan bëri deklaratën ”bombë” se Adriatik Llalla është kundër Reformës në Drejtësi, Llalla hodhi në fushë-betejë ”Asin nën mëngë”-Letrën . Po çfarë detajesh sjell ajo për Reformën në Drejtësi?
”Prej kohësh, z. Lu, duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut. Në komunikimet zyrtare dhe informale, Ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale.”
SHANTAZHI NDAJ DEPUTETËVE
Megjithatë Adriatik Llalla pretendon se ka indicie që ambasadori muund të ketë shantazhuar edhe disa deputetë për të siguruar vota parlamentare për Reformën në Drejtësi. Shantazhi sipas kryeprokurorit për mbylljen e hetimeve për këtë çështje është bërë me refuzim vize ndaj drejtorit të strukturës që po heton çështjen. Drejtori quhet Rovena Gashi.
”Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media.”…
”Ambasada e SHBA në Tiranë i ka revokuar vizën, ndër të tjerëve, edhe Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, njëkohësisht edhe drejtues i Sektorit të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme.
Drejtori, i vetmi prokuror magjistrat në Prokurorinë e Përgjithëshme, ka mbajtur qëndrime thellësisht profesionale sa i përket paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, si edhe ka shprehur opinione për disa problematika në prani të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, si edhe ekspertëve të tjerë vendas dhe të huaj.
Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se edhe veprimi aspak diplomatik ndaj prokurorëve është një reagim ndaj qëndrimeve parimore të tyre, të cilat nuk përkonin plotësisht me projektet ligjore të mbrojtura nga Ambasadori dhe disa prej ekspertëve të tjerë, vendas apo të huaj.
Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar trans-nacional. Gjithashtu në drejtim të strukturës shumë të rëndësishme të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete në përjashtimin të disa deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe të zyrtarëve të lartë nga administrata shtetërore, të cilët rezultojnë të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. ”
Hetimet sipas Llallës po vazhdojnë edhe për njerëz afër ambasadorit LU:
”Në vijim, Ju informojmë gjithashtu, se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu.
Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë.”
ROVENA GASHI
Dy zyrtarëve të lartë të prokurorisë që u është refuzuar viza janë: kryeprokurori Adriatik Llalla dhe drejtori i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë Rovena Gashi. Gashi ka qenë njëkohësisht përfaqësuesja e Prokurorisë në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.
”Ju informojmë gjithashtu se përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithëshme ishte kandidaturë dhe tashmë është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014, Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit të si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin.
Në takimin në Ambasadën Amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane.
Fakti që Prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjelle jo-diplomatike nga ana e Ambasadori Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale.”
ZGJEDHJET
Në mënyrë të papritur, Adriatik Llalla ngre edhe alarmin për zgjedhjet duke thënë se ”segmente të ndryshme politike mbështetur nga faktorë të jashtëm të lobuar do tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe prokurorëve”. Por Llalla thekson se Prokuroria e Përgjithshme do vijojë të mbështesë Reformën në Drejtësi.
”Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm në veçanti, Ju sigurojnë se institucioni do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e saj që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni përkatës. Ju sigurojmë se institucioni i Prokurorisë nuk do të shantazhohet nga asnjë faktor, vendas apo i huaj, në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore. Institucioni ynë është i vetëdijshëm se, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat zhvillohen në Qershor 2017, segmente të ndryshme politike, të mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm të lobuar, do të tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe Prokurorëve të Republikës. Ju garantojmë se do të merret çdo masë, për aq sa i takon institucionit, që të sigurohet vota e lirë.”, përfundon letra e Llallës. Tanimë pritet se cili do jetë reagimi zyrtar i Ambasadës Amerikane lidhur me çështjet./ SHUPLAKA
Katraura që po sjell Sorrosi. Kjo quhet lajthitje nga pleqëria.