4 punonjës të IMT-së së Dibrës janë vënë nën hetim, pasi kanë lejuar qytetarët që të ndërtojnë pa leje.
Njoftimi është dhënë nga Policia e Dibrës, ndërsa aksioni vjen pak ditë pas paralajmërimeve të vazhdueshme nga ana e kryeministrit Edi Rama se nuk do të ketë asnjë tolerancë për personat që shkelin ligjin duke ndërtuar pa leje.
Në mesin e personave të proceduar është dhe kryeinspektori, ndërsa akuza që rëndon mbi të katërt ata është ajo e “Shpërdorimi të detyrës”, pasi duke mos kryer detyrat e tyre funksionale për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, kanë lejuar qytetarë që të kryenin ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Dibër.
Njoftimi i Policisë së Dibrës:
Lejuan qytetarët që të kryenin ndërtime pa leje, procedohen penalisht 4 punonjës të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në DVP Dibër, referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasve: E.Xh., 37 vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër. J.O., 32 vjeç; F.R., 33 vjeç; SH.I., 51 vjeç, të tre me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër.
Procedimi penal ndaj tyre ka filluar pasi dyshohet se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi duke mos kryer detyrat e tyre funksionale për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, kanë lejuar qytetarë që të kryenin ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Dibër.
(E.K/Faxweb.al)