Babai i Xhesika Biqikut, Ilia Biqiku foli për vdekjen e vajzës së tij. Duke folur për “FaxNews”, ai u kthye pas në kohë kur ndodhi tërmeti i 26 Nëntorit, i cili i mori nga jeta vajzën e tij. Ilia Biqiku tregoi se atë natë kanë qenë duke fjetur në dhoma të ndara kur nisën lëkundjet e tërmetit.
Ai tha se sapo nisi tërmeti, kanë dalë jashtë, por Xhesika nuk i kishte ndjekur pas. Ilia rrëfeu se në momentin që ktheu kokën, e pa vajzën e tij të mbuluar me gjak për shkak të tullave që kishin rënë.
“Kur filluan lëkundjet ishim në dhoma të ndara. Unë e kisha përdore Sabinën, kur dolëm nga pallati, gocën e e kisha përdore. Gjatë kohës i thash Xhesikës, ku je moj ba? Aty ktheva kokën dhe pash kasaphanën, e pash gocën të mbuluar me gjak.
Ulërimat e mija janë dëgjuar shumë larg. E kapa gocën, pa çorape, pa këpucë, pa asgjë, dhe e nxora në rrugë kryesore. Një çift pastaj e futi në makinë, e çuam te Spitali Amerikan. 50 minuta e mjekuan”, tha Ilia Biqiku për “FaxNews”.
Teksa kujtoi momentet, ai shpërtheu në lot. Më tej, tregoi se fotografinë e Xhesikës e mban gjithmonë me vete dhe e puth herëpashere. Ilia e përshkroi 20-vjeçaren si të mirën e familjes.
“Ishte më e mira, nga unë, nga nëna e vetë e nga motra. Nuk donte sherre, shamata, nuk ka patur konflikte. Ishte e urtë. Ja e kam këtu (puth fotografinë e vazjës). E mbaj fotografinë e saj me vete. Kam edhe fotografinë e gocës tjetër që e kam në spital. Kemi kujtimet tani, kasetat, videot, fotot, të gjitha”, deklaroi Ilia Biqiku.
Në vijim, ai shtoi se gjendja shëndetësore e vajzës tjetër, Sabinës, dhe bashkëshortes së tij tani është e stabilizuar.
Kujtojmë që Xhesika Biqiku ndërroi jetë 2 javë më parë për shkak se gjatë tërmetit u godit në kokë nga tullat e shtëpisë që po binin. Ajo ishte viktima e 51-të e tërmetit të 26 Nëntorit.
(M. I./ Faxweb.al)
Discussion about this post