Aktori i njohur Arnold Schwarzenegger ndërsa po merrte pjesë në një aktivitet sportiv në nder të tij, në një palestër në Sandton të Afrikës së Jugut, është përballur me një situatë të pazakontë.
Ndërkohë që po bënte një video-selfie për të treguar aftësitë e atletëve, një person ende I pa identifikuar u shkëput nga spektatorët dhe e goditi me shkelm aktorin.
Ish-guvernatori Schwarzenegger përfundoi në tokë dhe u ngrit nga rojet e sigurisë, të cilët e rrethuan menjëherë.
Autori i sulmit ndaj Schwarzenegger është kapur nga rojet e sigurimit por ende nuk dihen motivet se përse e kreu atë veprim.
Ndërkaq Arnold Schwarzenegger përmes një postimi në “Twitter”, siguroi të gjithë adhuruesit se është mirë dhe se nuk kishte asnjë dëmtim, nga ngjarja e ndodhur.
“E kuptova që isha goditur vetëm pasi pashë video. Kujtova se u shtyva nga turma dhe kjo është një gjë e zakonshme. Jam shumë i lumtur që idioti nuk më prishi videon”, shkruan aktori 71 vjeçar në “Twitter”-in e tij.