Sigmar Gabriel ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë vizitës së tij në vendin tonë u rreshtua haptazi në mbështetje të qeverisë Rama. Ai e konsideroi absurd bojkotin e opozitës dhe iu bëri thirrje atyre që të merrnin pjesë në zgjedhje.
Në fakt nuk është e zakonshme për një ministër të një vendi të huaj që të deklarohet hapur në favor të një pozicionimi, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të partive politike.
Po ajo që ne nuk dimë është e përbashkëta e Gabriel dhe kryeministrit Rama, të dy e kanë ‘inatin’ me presidentin e SHBA-ve Donald Trump.
Edhe pse me një ndryshim të vogël, Rama e kritikonte si kandidat se pas zgjedhjes u tërhoq menjëherë, ndërsa Gabriel nuk është kursyer as pas marrjes së pushtetit në ditët e para nga ana e Trump.
Të dy e kanë quajtur të rrezikshëm, madje Gabriel në komentin e tij gjatë fjalimit të zgjedhjes nga ana e Trump ishte shprehur se do ta kthejë Kongresin në një dyqan.
Të dy e kanë quajtur të rrezikshëm, Rama në deklarimet e tij fillimisht për prestigjozen ‘CNN’ dhe më pas për mediet në Shqipëri. Gabriel nga ana e tij konsiderohet nga ‘Washington Post’ si njeriu më anti-Trump në Europë.
“Trump është pionier i një lëvizjeje të re autoritare dhe shoviniste. Ai përbën një kërcënim të hapur për ne. Vendi ynë dhe Evropa duhet të reagojnë menjëherë duke kundërvepruar ndaj kësaj lëvizje’’, deklaronte fillimisht Gabriel.
‘’Populizmi, izolimi dhe nacionalizmi janë përgjigje të gabuara për problemet tona sot”, vijonte më tej Gabriel edhe pas zgjedhjes së Presidentit Trump.
‘’SHBA është “një qytet i shndritshëm mbi një kodër” për ne, por perspektivat që po dëgjojmë nga Donald Trump janë me të vërtetë shqetësuese dhe po cenojnë realisht atë çka SHBA është në sytë tanë’’, deklaronte Rama për ‘CNN’.
‘’Larg qoftë! Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-në dhe do të dëmtonte shumë botën demokratike, pasi ai, në fund të ditës do të duhet të bënte disa prej gjërave që po thotë se do të bëjë dhe pa dyshim, kjo do të ishte shumë e dëmshme.
Gjithashtu, shpresoj që ndërkohë ai të jetë në gjendje të mësojë më shumë mbi botën, të mësojë më shumë mbi myslimanët, të mësojë më shumë se si ka shumë njerëz, që pavarësisht besimit apo etnisë së tyre, jetojnë me krenari me vlerat që Amerika përfaqëson dhe i mbrojnë këto vlera, edhe përmes sakrifikimit të fëmijëve të tyre, në luftërat që bëjnë përkrah Amerikës.’’, i përgjigjej kryeministri Rama pyetjes së gazetarit në rast se çdo të ndodhte nëse Trump do të zgjidhej President.
Të dy të majtë, dhe përveç mendimeve të përbashkëta për situatën politike në Shqipëri i paska bashkuar edhe një temë shumë e nxehtë ndërkombëtare. (E.K/SHUPLAKA)