Një 36-vjeçar është shpallur në kërkim policor, pasi akuzohet se në bashkëpunim me një tjetër person, kanë përdhunuar në makinë një grua 35-vjeçare, e cila jeton në kryeqytet.
Ishte 35-vjeçarja e cila bëri denoncimin në polici në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Më 26 Janar, L.B. ka kallëzuar se ka hipur me dëshirë në një makinë me dy persona që nuk i njihte, të cilët kanë udhëtuar jashtë Tiranës dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj.
Sipas burimeve policore, në kërkim është shpallur 36-vjeçari J.V., banues në Tiranë, nën akuzën: “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” në bashkëpunim. Materialet në ngarkim të J.V. u referuan në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa bashkëpunëtori i dyshuar i tij është ende i paidentifikuar.
Hetimet lidhur me ngjarjen, që mbetet ende për tu sqaruar, nisën pasi disa ditë më parë një 35-vjeçare bëri kallëzim në Komisariatin e Policisë Numër 3. (J.V/Faxweb)